Arbëri

Kandidatet për deputete: Gruaja duhet të jetë patjetër në politikë

Debati

Përfaqësimi i grave nuk është ai që duhet, kanë thënë në debatin e parë të “Zgjedhjeve në KOHË”, katër kandidate për deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit

Besianë Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se politika është parë gjithmonë më shumë si platformë për burrat, por ajo ka bërë thirrje që gratë të marrin guximin e “të tregojnë se kemi kontribut të madh në këtë shoqëri dhe duhet të përfaqësohemi sa më shumë”.

“Cilado grua që merr guximin dhe ka kauzë politike që synon ta çojë përpara duhet ta marrë guximin t’i hyjë garës”, ka thënë ajo.

Diellza Kukaj nga koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën ka thënë se gratë janë më të përgjegjshme në punët që i realizojnë.

“Përfshirja e grave gjithmonë sjell ndryshim të madh. Dilema më e madhe është se s’i t’i bindim gratë të jenë pjesë e këtij procesi demokratik. U bëj apel grave t’u bashkohen grave”, ka thënë ajo.

Pakënaqësi për situatën e grave në Kosovë ka shprehur edhe Ganimete Tolaj nga Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.

“Gratë e Kosovës meritojnë më shumë. Të kenë vende jo si individë, por të trajtohen si mbretëresha. Gratë janë koka e Kosovës. Janë udhërrëfyese për të gjitha gratë e botës”, ka thënë ajo.

Se gratë duhet të jenë pjesë e politikës ka thënë edhe Mimoza Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.

“Femra kosovare ka qenë tradicionalisht shtylla e familjes. Kur udhëheq familjen mund ta udhëheq edhe një shtet”, ka thënë ajo.