Punimet në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit që u dëmtua me eksploziv nuk kanë përfunduar ende. Menaxhmenti i “Ibër-Lepencit” thotë se pjesa e ujit që rrjedh nën kanal është lënë qëllimshëm
Megjithatë, uji afër pjesës ku u bë sulmi terrorist i 29 nëntorit në veri të Kosovës vazhdon të rrjedhë e edhe makineria është aty në pritje të punimeve të radhës.
Vigan Syla, koordinator i projektit të Bankës Botërore për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit në Ibër-Lepenc, thotë se punimet e mëdha janë përmbyllur më 31 dhjetor, derisa kjo rrjedhë e ujit është e qëllimshme.
“E kemi lënë ne vetë një rrjedhje gjatë rregullimit të pjesës së dëmtuar. Është një rrjedhje që e kemi lejuar vetë, të cilën e mbyllim tani dhe nuk do të rrjedhë më. Është një rrjedhje e kontrolluar që është bërë për qëllimet e rehabilitimit të kanalit”, ka thënë ai.
Syla thotë se me gjithë rrjedhjen në ditët e para si pasojë e shpërthimit të kanalit me eksplozivë është siguruar furnizimi i pandërprerë me ujë për qytetarët si rezultat i punës së pandalur treditore të zyrtarëve të ndërmarrjes dhe 50 punëtorëve të kompanisë që ka qenë e kontraktuar paraprakisht për rehabilitimin e kanalit.
Ndonëse makineritë ishin të fikura më 6 janar, kur ekipi i KOHËS ishte i pranishëm, Syla ka thënë se punimet finale do të përfundojnë së shpejti.
“Tani jemi duke i bërë disa punë finale, të cilat do të përfundojnë gjatë kësaj jave. Më pas do të bëhet heqja e dheut që është bartur për punimin e bypass-it sepse ju e dini aty është bërë një sasi e madhe e dheut kur është bërë bypassi... Nga dita e hënë, uji kalon në akuadukt, ndërsa qytetarë duhet të ndihen të sigurt për këtë punë se është kryer shumë me sukses dhe është kryer me kualitet dhe standarde”, ka shtuar ai.
Edhe në pjesë të tjera të kanalit ndërmarrja po bën rehabilitim meqë ka vlerësuar se rreth gjysma e ujit shkon dëm shkaku i dëmtimit të kanalit që i ka mbushur 40 vjet.
Prokuroria Speciale po e heton këtë sulm si terrorist që e kishte cak ta sulmonte infrastrukturën kritike të Kosovës, për çka i ka arrestuar dy vëllezërit, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.
Hetimi po përkrahet edhe nga Zyra Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara.
Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kryer me rreth 20 kilogramë eksplozivë dhe se është realizuar nga persona të trajnuar për detonimin e mjeteve shpërthyese që ndizen me fitil me djegie të ngadaltë. Qeveria e Kosovës për këtë sulm e ka fajësuar Serbinë dhe grupin kriminal të Milan Radoiçiqit.