Arbëri

Kamerat e shtrenjta të komunës nuk monitorohen nga policia, shkak mungesa e objektit

1.3 milionë i ka kushtuar Komunës së Prishtinës vendosja e kamerave të sigurisë vitin e kaluar.

Edhe pse ende nuk janë vendosur në 200 lokacionet e parashikuara që në fillim, edhe ato që janë vendosur nuk janë duke u monitoruar nga policia.

Ashtu siç ishte thënë në fillim të projektit.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica ka deklaruar që kamerat e sigurisë janë duke u monitoruar nga Policia e Kosovës.

“Faza e parë e projektit vetëm ka filluar që të realizohet sa i përket projektit për vendosjen e kamerave. Kamerat janë funksionale, janë duke u monitoruar të njëjtat nga Policia e Kosovës në bazë të ligjit i cili është në fuqi. Kryeqyteti do të vazhdojë edhe më tutje të bashkëpunojë me policinë edhe në këtë vit me fazën e dytë ku do të vendosen në pikat që do të jenë të përcaktuara dhe të vazhdojnë të monitorohen nga policia. Ato po përdoren nga policia në zbulimin dhe parandalimit të rasteve që janë duke ndodhur në kryeqytet”, ka thënë Fushtica.

“E gjithë faza e vendosjes së kamerave është e përcaktuar dhe e parashikuar që të përfundohet për 3 vjet. Në vitin 2025-2026 do të vendosen në 200 lokacione në 200 pika ku do të vendosen këtë vit në 20 lokacione së paku dhe kjo varet sipas dinamikës së punës dhe atë që e përcakton policia dhe do të mbulohet i gjithë kryeqyteti”, ka shtuar ai.

Por këto kamera nuk po monitorohen në tërësi.

Drejtori i policisë së kryeqytetit, Bekim Bislimi, ka thënë se për shkak të mungesës së objektit kamerat nuk po monitorohen 24 orë.

“Nuk po mund të monitorohen në tërësi, si shkak i mungesës së objektit të policisë së kryeqytetit, kjo është arsyeja. Momentalisht këto kamera që janë po i monitorojmë në objektin e policisë dhe në çdo rrethanë për nevoja operative dhe hetimore, kërkohet ne në retrospektivë i tërheqim xhirimet të cilat na shërbejnë në procesin e hetimit dhe identifikimit të personave”, ka thënë Bislimi.

Bislimi thotë që këto kamera po i ndihmojnë policisë në hetime.

“Faza e dytë e vendosjes vetëm se ka filluar, në aspektin e ofrimit të ndihmës për ne është e jashtëzakonshme. Sepse ne mund të monitorojmë kryeqytetin në 24 orë të gjendjes së sigurisë së çdo aspekt përfshirë edhe komunikacionit mirëpo edhe pjesën e hetimeve për vepra të ndryshme që ndodhim”, ka deklaruar ai.

Komuna ka identifikuar një objekt te Xhamia e Llapit ku po planifikon vendosjen e drejtorisë së policisë së kryeqytetit.

Objekti në fjalë është shumë i vjetër.