Hulumtuesi në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi, ka theksuar se takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur, i cili do të mbahet të mërkurën në Bruksel, është një mundësi për të parë nëse ekziston vullneti politik për të zbatuar obligimet e marra, pasi sipas tij, deri më tani ka pasur pengesa në zbatim.
Ai ka theksuar rëndësinë e qasjes në arkivat shtetërore, veçanërisht atyre të Serbisë.
“Disa herë ka pasur përpjeke që të ketë zbatim të temës së të pagjeturve në dialogun e Brukselit që nga viti 2011, por secilën herë pastaj ka ngecur zbatimi i dakordimeve. Tashmë ky takimi i radhës do të tregoj nëse ka vullnet apo jo për të zbatuar marrëveshje. E në këtë drejtim çështja më kryesore është që do të dëshmohen shenjat e para se a ka vullnet për të pasur transparencë dhe për të dhënë qasje në informacione për çështjet arkivore dhe për çështjet e të dhënave që janë konsideruar të klasifikuar nga qeveritë. Në këtë rast është më e rëndësishme që të shihet nëse Beogradi zyrtar do të jetë i gatshëm për të dhënë qasje në dokumentet e klasifikuara”, është shprehur Kamberi në një deklarim për Ekonomia Online.
Sipas tij takimi i së mërkurës do të tregojë nëse procesi ka hyrë në binarët e duhur të zbatimit apo nëse do të kemi vazhdimësi të praktikave të njohura.
Kamberi ka thënë se deri më tani Serbia nuk ka treguar vullnet për të bashkëpunuar sa i përket çështjes së të zhdukurve as me palën kosovare e as më palën lehtësuese.
Kamberi po ashtu ka theksuar rëndësinë e këtij procesi siç ka thënë për dy aspekte. I pari sipas tij është për të zbardhur fatin e të zhdukurve e i dyti për të dhënë një impuls politik për zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një situatë ku kjo marrëveshje do të fillojë të zbatohet, atëherë kjo do të ishte shpresëdhënëse që së shpejti do të kemi zbatimin në njërën anë të marrëveshjeve të pazbatuara deri tani që janë një sërë, por në anën tjetër do të mundësonte t’i jepte një kredibilitet të serishëm dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, i cili aktualisht është në një lloj vdekje klinike”, ka thënë Kamberi.
Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, kanë konfirmuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për këtë çështje. Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, tha se kërkesat e Kosovës kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.