Arbëri

Kamberi: Shqiptarët e Luginës mund të bëhen temë e kontestit Kosovë - Serbi

Belgzim Kamberi

Belgzim Kamberi nga Instituti Musine Kokalari, ka deklaruar se çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, mund të bëhet temë e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë, por që sipas tij, në këtë periudhë s’duket se ka interesim nga pala serbe.

Kamberi ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se dialogu në Bruksel ka shumë paqartësi për shkak të zhvillimeve politike edhe në arenën ndërkombëtare, duke përmendur zgjedhjet e sivjetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Kosovës ka mundësi të shtyjë çështjen e Luginës së Preshevës, si në dialogun me Serbinë, pra është e mundshme një gjë e tillë. Për t’u bërë temë në dialog duhet që palët (Kosova e Serbia v.j.) të pajtohen në mënyrë konsensuale. Në një situatë të tillë, është vështirë që Serbia të pranojë që Lugina të jetë temë diskutimi në dialog. Ne jemi në një situatë kur s’e dimë si do të shkojë gjeopolitika në të ardhmen, kemi ende shumë paqartësi. S’e dimë kush po vjen në pushtet në SHBA”, ka deklaruar Kamberi, duke shtuar se nëse Donald Trump do të kthehej në krye të Shtëpisë së Bardhë “do të mund të hapej tema e shkëmbimit të territoreve”.

Ai ka shtuar tutje se shqiptarët në Luginë të Preshevë po përballen me pasivizim të adresave nga autoritetet serbe, por ai ka theksuar se edhe shqiptarët “nuk janë mjaftueshëm të harmonizuar në qëndrimet e tyre”.

“Në Luginë ka përpjekje për të dinamizuar procesin politik. Ne kemi një proces politik në Preshevë që daton nga fundi i luftës në 2001-n, e që lidhet me integrimin e shqiptarëve. Ky proces ka pasur ngecje e probleme, por është një nga problemet...Të drejtat e shqiptarëve për Serbinë ishin vënë në harresë nga bashkësia ndërkombëtare. Beogradi zyrtar asnjëherë s’ka dashur të tërheqë paralele të shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë”, ka shtuar Kamberi.

Sipas tij, faktori shqiptar në Luginë të Preshevës s’po arrin të ketë ndikimin e duhur për shkak të dallimeve, ndonëse shtoi se ka “konsensus në kërkesa”.

Kamberi ka shtuar se qëndrimi i Shqipërisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës “është më afër qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare”.