Artikull i përditësuar (16:45) - Kosova ka kaluar votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti shkroi në Facebook se është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, duke thënë se ky opinion rekomandon anëtarësimin pa asnjë parakusht.
“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas Ahmetit, propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit. Ai ka thënë se kjo i bie që Kosova duhet të bëhet anëtare në muajin maj të këtij viti.
“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shtuar zyrtari i MPJD-së.
KOHA ka mësuar se pro anëtarësimit të Kosovës kanë qenë 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar të suksesshëm këtë hap, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.
Artikull i përditësuar (15:00) - Ka nisur shqyrtimi i raportit për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka njoftuar faqja zyrtare e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës (KiE).
Në Paris po shqyrtohet drafti i Dora Bakoyannis, raportueses për Kosovën.
Rezultati i shqyrtimit do të bëhet i ditur në uebfaqe më vonë, ka bërë të ditur ky Komision.
Në fotografinë e publikuar shihen edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës (KiE) sot do të shqyrtojë raportin e Dora Bakoyannis, që është raportuese për Kosovën në (KiE).
Deputetë të Kuvendit që janë pjesë e delegacionit të Asamblesë Parlamentar, javën e kaluar paralajmëruan se më 27 mars do të takohet Komisioni për Politikë dhe Demokraci, i cili pritet ta shqyrtojë raportin e Dora Bakoyannis. Për kalimin e tij duhet të votojnë një e dyta e anëtarëve, që i bie 27 deputetë.
Nëse kalohet kjo fazë, atëherë çështja mund t’i kalojë për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila i zhvillon punimet nga 15 deri më 19 prill.
Shpresat e Kosovës për shpejtimin e procesit të anëtarësimit u shtuan pasi Qeveria e urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ky përbënte njërin prej kushteve themelore të Këshillit të Evropës, që përmendet edhe në një raport të juristëve të KiE-së.
Zyrtarë të Qeverisë në disa raste kanë thënë se tashmë janë siguruar votat e domosdoshme për anëtarësim, me gjithë fushatën lobuese të Serbisë. Madje kjo e fundit kërcënoi me largim nga Këshilli i Evropës, nëse e pranon Kosovën si anëtaren më të re.
Në prag të vendimmarrjes edhe nga Mali i Zi ka paralajmërime për votë kundër. Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet i ka kërkuar Maja Vukiçeviqit, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë. PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) prorus e proserb, që përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq.
Para votimit në Këshill, tre udhëheqësit institucionalë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i dërguan një letër raportueses Bakoyannis, ku shprehën zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, të cilat e përfshijnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.