Arbëri

Kallasi i kërkon Vuçiqit zgjidhjen e rastit “Banjska” dhe t’i vendosë sanksione Rusisë

Kaja Kallas me Aleksandar Vucicin

Përfaqësuesja e re e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të zgjidhet rasti “Banjska” dhe po ashtu Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë. 

Kallas është duke i pritur në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor. 

Vuçiq në një postim në “Instagram” ka thënë se pati një bisedë të hapur dhe të vështirë me Kallasin. 

“Biseduam për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit ‘Banjska’ dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiq. 

Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Serbia ende nuk i ka sjellë para drejtësisë fajtorët për sulmin. Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, kishte pranuar se qëndronte prapa grupit që kreu sulmin. 

Ndërkohë sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja.
 


Lexo përditësimet tjera
Kurti Kallas Vuciq

Kallasi sot pret në takime të ndara Kurtin e Vuçiqin

Shefja e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, sot do të zhvillojë takime të...