Arbëri

Kallas: 2030-ta, objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Kaja Kallas dhe Edi Rama

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë të martën ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme.

Këtë Kallas e ka thënë në konferencën për media me kryeministrin Edi Rama, pas takimit të mbajtur mes dy palëve.

“Po, është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë", ka shtuar ajo teksa ka thënë se në këtë rrugë, Shqipëria duhet të bëjë reformat e nevojshme. “Ajo që dëshiroj të them është që nuk ka ndonjë qark të shkurtër për të arritur me anëtarësimin në BE me reformat. Ju keni mbështetjen tonë të plotë sa i përket çeljes së grup-kapitujve të tjerë. E ardhmja e Shqipërisë është në BE", ka shtuar ajo.

Ndërsa, Rama ka shprehur qëllimet e këtij vendi që procesi i anëtarësimit të zgjasë deri më 2027.

“Ne kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin", ka thënë Rama.

Kallas ka theksuar se BE-ja është e angazhuar që ta forcojë sigurinë në fusha të reja në Shqipëri. 

“BE-ja është plotësisht e angazhuar sa i përket Shqipërisë dhe bashkëpunimi ynë sjell të mira për të dyja palët. Një nga angazhimet e para që kam pasur ka qenë nënshkrimi për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky është një hap i rëndësishëm. Ne duam ta forcojmë sigurinë në fusha të reja”, ka thënë ajo. 

Gjatë takimit me Ramën, palët kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë. 

Teksa, në adresimin për shtyp, Rama nuk i ka lënë pas batutat. 

“Shumë faleminderit dhe njëherë për vizitën tënde. Është një vizitë pak të çuditshëm për ne midis diellit dhe të ftohtit. Ne kishim diellin dhe ti solle të ftohtin nga Brukseli, por të jesh e bindur që herës tjetër do të kesh vetëm, diell”, ka thënë ai, që mori përgjigje mohuese nga Kallas, e cila tha se “Brukseli nuk kishte të ftohtë, kështu që mund të ketë ardhur nga Veriu”.