Ëmbëltorja “Elida”, që ndodhet në Pallatin e Rinisë - të cilit ende shumëkush i referohet me emrat e dy luftëtarëve partizanë, Boro e Ramizi - ka qenë dhe vazhdon të mbetet një prej pikave të pakta të përbashkëta të elitës politike. Megjithatë, kafenetë e restorantet e ndryshme ishin e vazhdojnë të mbesin vendtakimet më të preferuara për ndarjen e hises së pushtetit e prej nga, edhe natën, vijnë kërcënimet për prishje koalicionesh nga elita politike e një shoqërie që “aversion ka institucionin”, që ia ngjall kujtimet e represionit dhe pushtimit serb
Politikanët e gjeneratave dhe sistemeve të ndryshme pothuajse gjithnjë e kanë pasur të vështirë të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën kolektive. Edhe kur kanë arritur marrëveshje, më fort e kanë bërë për shkak të presionit publik e edhe atij ndërkombëtar.
Por, ëmbëltorja “Elida”, që ndodhet në Pallatin e Rinisë - të cilit ende shumëkush i referohet me emrat e dy luftëtarëve partizanë, Boro e Ramizi - ka qenë dhe vazhdon të mbetet një prej pikave të pakta të përbashkëta të elitës politike.
Ëmbëltorja që bashkon elitat e përçara
Liderët e qeveritë komuniste e demokratike kanë ardhur e shkuar, por asnjëherë nuk janë ndërruar karriget dhe tavolinat e ëmbëltores së pronarëve nga Tetova. Të gjithëve u ka shërbyer Bajram Idrizi, i cili bashkë me familjen do të vinte nga Kroacia për ta hapur biznesin e ri në fund të viteve shtatëdhjetë.
“Na jemi nga viti 1978, domethanë, kur është hapur Pallati i Rinisë, domethanë jemi këtu prej 1978-s, më 28 nëntor kur është hapur ‘Elida’, Emrin ‘Elida’ e ka nga vajza e Mahmut Bakallit, sepse iniciator kryesor ka qenë Mahmut Bakalli që na ka pru këtu”, thekson Bajram Idrizi, pronar i ëmbëltores, duke treguar se “Elida” do të kthehej menjëherë në pikë të rëndësishme pë elitën e atëhershme politike komuniste. Në duar mban një fotografi të Bakallit e bashkëpartiakëve komunistë, me të bijën në zemër të fotografisë në ëmbëltore.
“Të gjithë, e mbaj mend se kanë ardhur. Për shembull, unë e mbaj mend Mahmut Bakallin, Veli Devën, Azem Vllasin, këtu kanë qenë. Xhavit Nimani... edhe nuk më kujtohen bash tash.. por këta kanë qenë emrat kryesorë që unë i mbaj mend vetë dhe iu kam shërbyer vetë”.
Ndryshimet politike në fund të viteve tetëdhjetë në ish-Jugosllavi po diskutoheshin me të madhe në “Elidë”. Shkrimtarë, gazetarë e intelektualë shqiptarë të kohës do të zgjidhnin pikërisht këtë për t’u dhënë drejtim të artikuluar politik kërkesave për liri e demokraci.
“Viti ‘89 kur u bë regjistrimi i LDK-së - më kujtohet atëherë se unë isha kamarier - këtu brenda, edhe i mbaj mend të gjithë njerëzit e elitës, për shembull, Ibrahim Rugova, po se po, numër një, Veton Surroi, Rexhep Qosja, Bujar Bukoshi, tani Milazim Krasniqi profesori, Ejup Statovci, Zenun Çelaj, edhe shumë emra tjerë që nuk më kujtohet tash, por këtu rrishin”, tregon Idrizi.
Në kuadër të masave represive të vitit 1989, pas suprimimit të autonomisë nga Serbia e themelimit të partisë që do t’i printe rezistencës paqësore gjatë krejt viteve nëntëdhjetë, do ta pësonin edhe pronarët e “Elidës” pse në ëmbëltoren e tyre u vunë themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një fotografi e kishte shkrepur tinëz e duke rrezikuar veten Sadri Hadërgjonaj, i cili pastaj do t’ua sillte pronarëve për ta pasqyruar mbylljen e dhunshme të ëmbëltores. Në fotografi, që Bajrami s’e lëshon nga dora, një polic serb kujdestaron para derës me dry të “Elidës”.
Por, gjatë gjithë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, një hise e madhe e jetës politike, kulturore, arsimore e shëndetësore do të zhvendosej nëpër shtëpi private ose në kafene, meqë regjimi i Slobodan Milosheviqit kishte dëbuar shqiptarët nga të gjitha institucionet publike qysh në fillimvitet nëntëdhjetë.
Çajtoret, “media” të zorit
Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se për shkak të këtyre rrethanave kafenetë do të ktheheshin në institucione, ku pos diskutimit ndërmjet miqve, në to do të diskutoheshin e do të merreshin edhe vendime të rëndësishme për qeverisjen paralele në aparteid.
“Është e kuptueshme për vitet nëntëdhjetë për mungesë të institucioneve dhe të formave tjera të organizimit politik, kafeneja ka shërbyer si njëfarë lloj institucioni, madje këtë e shohim edhe prej këtij pozicioni dhe mungesës së vendimit në institucione, kafeneja ka mbetur, konsideroj, institucioni më i etabluar ndër kosovarë me idenë se shërben jo vetëm për të shërbyer një kafe, por shërben si një institucion”, thekson Mushkolaj, duke treguar se rrethanat politike të kohës kishin imponuar këtë sjellje. “.... mirëpo jo vetëm rrethanat politike, por edhe tradita, tradicionalisht, kjo ndoshta kafenetë si të tilla, por edhe ato dyqanet e vogla të katundeve më të thella të Kosovës kanë shërbyer si dofarë qendrash për informim, për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur në një rajon më të ngushtë, por edhe më të gjerë, për të vazhduar pastaj me çajtoret që kanë qenë shumë të hapura në vitet nëntëdhjeta, dhe të cilat kanë qenë ‘dofarë’ mediash. ku njerëizt kanë marrë informacion, dhe kryesisht janë marrë me politikë”.
Edhe sociologu Kushtrim Bekteshi ka një shpjegim të ngjashëm. Sipas tij, kafenetë ishin kthyer në zëvendësim të institucioneve që tashmë ishin bërë në mekanizma të pushtuesve serbë.
Në Kosovën e lirë, Idrizi një ditë do të befasohej kur një këshilltar i presidentit historik Ibrahim Rugova do t’ia sillte një porosi. Pronarët do të ftoheshin në presidencë si shenjë nderimi për pasojat që kishin pësuar vetëm pse në ëmbëltoren e tyre, në fakt, ishte marrë vendimi për themelimin e partisë së parë demokratike në krejt ish-bllokun komunist në grahmat e fundit.
“Ka qenë presidenti Rugova pas luftës, ka qenë presidenti këtu, edhe na ka ardhur njjë këshilltar i presidentit të atëhershëm, Naser e ka pasur emrin, dhe jo që e kemi lyp na, erdh ai këshilltari dhe tha: ‘Ditën e premte ju pret presidenti në Velani nalt te shpia’. Dhe ne shkuam, dy orë kemi qëndru, Me protokoll, mirëpo ashtu na prisnin. Hyni një vajzë na bani do fotografi dhe shkoi, dy e orë e gjysmë kemi qëndruar me presidentin Rugova”, tregon Idrizi, teksa hallakat në grumbullin e fotografive derisa e gjen atë me presidentin Rugova në takim.
Por, edhe pas përfundimit të luftës, zyrtarët politikë e nëpunësit e administratës vazhdojnë të kalojnë goxha shumë kohë nëpër kafene. Madje, edhe gjatë orarit të punës. Shpesh është e vështirë të dallosh se kur e kanë kohën e pauzës.
Zëvendësim i institucioneve
Sociologu Bekteshi thotë se aversioni shoqëror kundrejt institucioneve, vegla ndëshkimi të pushtuesve serbë gjatë viteve nëntëdhjetë, edhe sot ka lënë shenjë në sjelljen e nëpunësve dhe politikanëve në raport me institucionet.
“Besoj se në masë të madhe ka ardhur për shkak se institucioni është parë si represiv ndaj qytetarëve në përgjithësi, edhe ndaj çdo aktiviteti politik gjatë asaj kohe, dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse është dashur të gjendet një zëvendësim për institucionet e munguara dhe të zhvendosin aktivitetin e tyre diku tjetër, në këtë rast, do të thotë në lokale të ndryshme private, ku ata kanë marrë vendime edhe për çështje të caktuara që nuk janë kufizuar për atë ambientin privat dhe të atyre personave që kanë marrë pjesë aty”, thekson Bekteshi.
“Na e dimë se gjatë viteve nëntëdhjetë gjithçka ka funksionuar në ambiente private, madje edhe shkollat kanë funmksionuar në shtëpi, meqenëse nuk kanë pasur institucione ku mund të mësojnë, e lëre më të gjitha institucionet e tjera, dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse u zhvendos prej ambientit publik skena publike, institucionet publike kaluan përkohësisht në çështje të bashkërendimit të interesave në objekte private”.
Raporti i zyrtarëve dhe politikanëve me institucionet i duket i çuditshëm edhe Mushkolajt. Madje, përshkruan raste personale kur nëpunësit e administratës në zyra i kërkojnë që të dalin në kafene për të diskutuar zgjidhjen eventuale të çështjeve.
“Duket e çudtishme që edhe njëzetë vjet pasluftës, kafenetë vazhdojnë të jenë vende ku diskutohet për politikën, por edhe ku merren vendime politike, por qysh unë e shoh lidhet me mendësinë e njerëzve, të cilët ende nuk iu besojnë institucioneve, po them për njerëzit që punojnë ose vetë institucioneve që i udhëheqin. Për shmebull, është shumë simptomatike se si unë shkoj në një institucion, e takoj një zyrtar të një institucioni, dhe ai thotë: ‘Mirë se erdhe, hajde dalim në kafe të bajmë muhabet dhe të shohim se çfarë mund të ndihmoj’”, përshkruan ai. “Kjo tregon shumë për mënyrën sesi funksionon shoqëria”.
Të dhënat e agjencive të ndryshme për matje të opinionit publik vazhdimisht pasqyrojnë krizën e madhe të besueshmërisë në institucionet publike. Shkalla është edhe më e ulët kur qytetarët pyeten për partitë e institucionet politike.
Politika nuk u ndahet kafeneve e restoranteve. “Zanzibari”, më i famshmi.
Pazaret dhe prishja e koalicioneve bëhet në kafene e restorante para se sa për formalitet të shkohet në institucione për nënshkrimin e marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit. Sjelljen e kanë të ngjashme edhe ata që erdhën me premtimin e ndryshimit të madh e frymën e shpresës.
“....besoj se ne edhe sot po e vuajmë prej këtyre relikteve këtë aversion krah institucioneve, pikërisht ndoshta për shkak të kësaj qasjeje që e kemi pasur viteve që iu referohemi. Ne edhe sot i shohim institucionet me aversion për shkak se na dënojnë, për një dënim ta zëmë, i cili ka qenë për disiplinim, e jo për përmirësim”, thotë Bekteshi, profesor i socilogjisë në gjimnazin prishtinas, “Sami Frashëri”.
“Oazat” e vetme të rinisë
Shkalla e papunësisë në Kosovë vazhdimisht është mbi 30 për qind. Niveli i papunësisë është edhe më i lartë në mesin e të rinjve, sidomos në mesin e femrave. Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë në rajon. Vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë të cilit Bashkimi Evropian ende nuk ia ka liberalizuar vizat.
Mushkolaj thotë se të rinjtë të papunë kafenetë i kanë kthyer në vende të vetme për ta kaluar kohën, meqë mungojnë hapësirat e nevojshme publike për aktivitete rekreative.
“...janë hapësirat e vetme, unë besoj, ku ata përnjëmend ndihen të lirë në pamundësi për të shfrytëzuar të mirat tjera që i ka njerëzimirt ose që do të duhej t’i kishin ata si pjesë e shoqërisë, e që është liria e lëvizjes në vende tjera, dhe mundësitë tjera për ta shijuar lirinë jo vetëm në letër në lirinë si një qëllim, me idenë që liria iu mundëson mundësinë që të vizitojnë, të shohin, e të tjera”, thekson Mushkolaj. “Për këtë shkak kafenetë, qendrat tregtare, qendrat e lojrave të ndryshme kanë mbetur oaza të vetme lirie për këta njerëz dhe unë i arsyetoj plotësisht”.
Por, pos protestave të organizuara të gastronomëve pas mbylljes së kafeneve e restoranteve, edhe rinia demonstroi pakënaqësi në rrjete sociale e nëpër tarraca të kafeneve kur nisi të lejohej shërbimi “merre me vete”.
Dhjetëra-mijëra kosovarë po ia mësyjnë në vikende bregdetit shqiptar, ku ka më pak kufizime pasi Shqipëria ka nisur vaksinimin. Zemërimi u rrit edhe më shumë, pasi në mesin e tyre kishte edhe deputetë e ministra të Lëvizjes Vetëvendosje që pinin kafe e bënin fushatë në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.
Por, kafenetë e mbushura në Kosovë u kanë lënë përshtypje edhe mediave të mëdha botërore, që realizuan reportazhe për banakierët e diplomuar në fusha të ndryshme, por që specialitet kanë punën në aparatin e makiatove.
“Elida”, e cila tashmë është nën mbrojtje të shtetit si pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, vazhdon të vizitohet nga politikanë të gjeneratës së vjetër e të re të politikës kosovare.
“Domethënë, mundemi me cek prej atyre që kthehen e vijnë është ish-kryeministri Hoti që vjen me djem. Për shembull Vjollca (presidentja Vjosa, v.j.) Osmani, sot kësaj dite vjen ish-presidentja Atifete Jahjaga, bile ka qenë para dy jave, vjen ajo këtu. Domethanë vijnë elitat të mëdha politik”, tregon Idrizi, duke kërkuar ndihmën e një kamaerieri për të treguar “screenshotin” e fotografisë së kryeministrit Kurti në “Instagram” në “Elidë” para se Lëvizja Vetëvendosje të pësonte çarjen e madhe.
“Ishte fushata parazgjedhore 2016 a 2017 dhe hini Albini Kurti, por ishin bashkë atëherë si parti, hini këtu, ishin shumë, 50-60 vetë, edhe iu tha shokëve të vet, Shpend Ahmetit: ‘Çdo tavolinë ka një domethënie. Një marrëveshje një tavolinë’. E kish fjalën për LDK-në se e kishte fjalën për paralufte për LDK-në për vitet ’89-‘90, edhe kështu që u vazhduan dhe u ulën atje dhe biseduan atje”.
Para se Idrizi të ulej pranë tavolinës së lartë në zemër të ëmbëltores për ta rrëfyer historinë e lidhjes së saj me politikën, një prej gazetarëve që kishte mbuluar atëherë zhvillimet e atëhershme për mediat vendore e rajonale, po rrufiste makiato. Si shumë figura të njohura publike, të zhgënjyera me elitat politike të kohës, edhe ai refuzoi të rrëfente historinë e diskutimeve në ëmbëltore para themelimit zyrtar të LDK-së.