Drejtoresha e programit në YIHR, Rina Kadiri, ka thënë se deklaratat e fundit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë dalë kundër kalimit të Kodit Civil, janë duke nxitur urrejtje te popullata.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Kadiri ka thënë se deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm për krijimin e Kodit Civil, pasi sipas saj, me të mbrohen gratë dhe fëmijët.
“Fatkeqësisht të gjitha këto deklarata, marrë parasysh që e kanë një pozitë të caktuar dhe një fuqi, qoftë në Kuvend apo në institucione të ndryshme, është duke ndikuar te popullata e gjerë që të nxitet urrejtje dhe në një formë të motivohen për liri të shprehjes, por s’duhet harruar asnjëherë që liria e shprehjes përfundon aty ku i cenohet e drejta një personi tjetër. Këtë element të rëndësishëm po e harrojë deputetët tanë. Shpresoj shumë që deputetët tanë do të reflektojnë dhe do ta shohin rëndësinë e krijimit të një kodi, duke i parë dinamikat që po ndodhin në shoqërinë tonë”, është shprehur ajo.
Kadiri tutje ka thënë se institucionet duhet të bëjnë thirrje për tërheqje të deklaratave të tilla të deputetëve, të cilat ajo i quan problematike.
“Shpresoj shumë që edhe zgjedhjet që do të vijnë, por edhe presioni publik dhe i shoqërisë civile do të ndikojë që të kalojë ligji, ndonëse edhe ligji si i tillë nuk është më i duhuri, pasi që në ligj nuk përmenden martesat e seksit të njëjtë, por përmendet vetëm bashkimi dhe thotë se martesat rregullohen me ligj të veçantë. Duhet të dilet publikisht me thirrje të tërheqjes së deklaratave të tilla problematike, të dënohen akte të tilla përmes metodave të ndryshme, qoftë edhe KQZ-ja të mos lejojë kandidimin e personave të tillë në zgjedhje”, ka thënë ajo.
Një grup organizatash i kanë quajtur të rrezikshme dhe diskriminuese deklarimet e deputetëve Eman Rrahmani dhe Visar Korenica lidhur me Draft-Kodin Civil, duke u shprehur se ato janë kundër të drejtave të njeriut në Kosovë.
Organizatat joqeveritare si Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Qendra për Barazi dhe Liri, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, kanë thënë se i dënojnë fuqishëm deklarimet e deputetëve që së fundmi iu bashkuan koalicionit “Lista për Familjen”, duke u shprehur se “i shtrembërojnë vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke promovuar diskriminim dhe pabarazi”.
Korenica e Rrahmani të martën braktisën Lëvizjen Vetëvendosje.
Përveç Projektkodit civil, Rrahmani e Korenica vazhdimisht kanë kundërshtuar disa prej ligjeve të cilat i ka përkrahur partia në pushtet, si Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.