Arbëri

Kadetë nga shtete të ndryshme nisin eksperiencën në Akademinë e Mbrojtjes së FSK-së

Për t’u njoftuar me sistemin e edukimit ushtarak që e ofron Forca e Sigurisë e Kosovës, në nisje të Javës Ndërkombëtare të Kadetëve, kjo forcë ka mirëpritur kadetë nga akademitë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Turqisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Komandantja e Qendrës për Studime Universitare në Akademinë e Mbrojtjes, majore Mimoza Budeci, e ka vlerësuar këtë si eksperiencë që duhet të merret shembull nga vendet e tjera.

“Mundësia jonë që të ftojmë shtete si SHBA-ja, Turqia, Kanadaja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe të jenë sot prezentë këtu dhe prej neve të marrin eksperiencë dhe njohuri është një arritje e cila vlerësohet shumë dhe duhet të merret shembull edhe nga shtete të tjera”, ka deklaruar Budeci. 

Edhe kadetët ndërkombëtarë u shprehen të kënaqur që ndodhen në Kosovë për t’i shkëmbyer njohuritë me ushtarët e rinj të FSK-së. 

“Deri më tani ata kanë qenë shumë mikpritës dhe ne jemi mirënjohës që jemi këtu dhe për të dëgjuar dhe mësuar nga një forcë shumë më e vogël. Të zhvillojmë aftësi të ndryshme, pra të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të mësojmë secilën prej aftësive tona”, ka thënë Aaron Whitlock, kadet nga Forcat Hapësinore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të hapur për këtë bashkëpunim janë shprehur edhe kadetët kosovarë që thonë se do të mësojnë shumë prej përvojave të huaja.

“Ne gjatë kësaj jave shkëmbejmë njohuri dhe përvoja tona që kemi marrë gjatë këtyre katër viteve të studimeve me kadetë të ndryshëm nga akademi të ndryshme. Kjo është një mundësi e mirë, si për shkëmbim të njohurive ashtu edhe për shoqërim, për të njohur dhe ditur se çfarë kadetë të tjerë bëjnë në akademitë e tyre jashtë vendit”, është shprehur Atdhe Ahmeti, kadet nga Forca e Sigurisë së Kosovës. 

Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të saj, FSK-ja ka njoftuar se ka organizuar edhe kursin bazik për Policinë Ushtarake. 

Gjatë 10 javëve sa ai ka zgjatur, pjesëtarët e FSK-së janë validuar në detyra të Policisë Ushtarake, si patrullime, ndalesa në trafik, reagim ndaj mjeteve shpërthyese, menaxhim i turmave, menaxhim i kampit të robërve të luftës, neutralizim i gjuajtësit aktiv etj. 

Kadetëve më të suksesshëm FSK-ja u ka ndarë edhe çmime.