Besim Reqi shtrëngohet t’u tregojë shokëve të studimeve se fshati i tij ka edhe mbiemër. Përndryshe, e ngatërrojnë me emrin e qytetit të Kaçanikut.
“Ka ndodhur të flas me miq të kohës së studimeve që më kanë thënë: ‘Kalova nëpër Kaçanikun tënd’. Jo, jo, u them unë. Jam i Kaçanikut të Vjetër”, tregon Reqi, banor i fshatit që shtrihet në rrafsh, nja tetë kilometra larg qytezës jugore. “Kaçaniku i Vjetër është kryeqytet i Kaçanikut”, thotë goxha me seriozitet Reqi, ish-administrator i fshatit, tani drejtor i shkollës fillore, shkruan KOHA.
Edhe të intervistuar të tjerë, pleq e të rinj nëpër shitoret e fshatit, thonë krenueshëm se Kaçaniku i Vjetër është vendbanim i lashtë.
“Emrin e këtij (të Vjetrit), ia kanë ngjitë atij agje (atje,v.j.) poshtë”, thekson Xhemajl Elezi, plaku 78 vjeç, duke iu referuar dy vendbanimeve me të njëjtin emër. “Agje, janë kanë hu katër shpia. Turku e ka kurdis xhaminë dhe u ba shehër, e ky këtu u kanë ma i vjetër”.
“I rëndësishëm” edhe për perandoritë
Nuk janë më larg se tetë kilometra largësi rrugore. I vjetri është nën pushtetin lokal të të riut. Kryetari Besim Ilazi, është banor i Kaçanikut të Vjetër. Sikurse shumica e të intervistuarve në fshat, edhe ai e pranon në objektin e komunës se ende nuk është filluar shkencërisht fija që i lidh dy vendbanimet. Shenja e rrëfime për lidhjen ka gjithandej. Duke përsëritur disa herë se krejt pretendimet më shumë janë bartur gojarisht brez pas brezi, Ilazi kujton se “pleqtë thonë se (Kaçaniku i Vjetër,v.j.) ka qenë një qytezë e vogël”.
“I kam dëgju pleqtë duke thënë se maca ka ecur kulm më kulm”, thekson ai. “Kaçaniku i ri është krijuar më vonë”.
Historiani, publicisti e diplomati Ylber Hysa, shkruan në “Dy Kaçanikat”, pjesë e librit, “Shafrani i Kaçanikut”, botuar së fundmi nga “Bards Books” në Prishtinë, se së pari duhet theksuar rëndësia strategjike e Kaçanikut me rrethinë për shkak të pozitës gjeografike. Ai shkruan se kjo rrethanë e ka përcjellë gjatë periudhave të ndryshme historike. Monumenti epigrafik dedikuar zotit dardan, Andin, që e kishte zbuluar në këtë Runjevë arkeologu i famshëm, Arthur Evans, që në histori njihet si zbulues i kulturës së Kretës, i jep kësaj treve histori pararomake, pra, shkruan ai, periudhës dardane.