Monitoruesi në INPO, Arbër Kabashi, derisa ka folur për “kontratat njëburimore”, ka thënë se në shumë raste po shfrytëzohet neni 35 i prokurimit publik, me anë të së cilit lejohen këto kontrata.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se një prej praktikave që vërehet është se shumë aktivitete të rregullta që po iniciohen nga autoritetet kontraktuese, nuk arrijnë të nënshkruhen me kohë.
“Dy prej praktikave që i kemi evidentuar kanë të bëjnë me kontratat që nënshkruhen me anë të procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontrata, apo siç po quhen “kontrata njëburimore”. Këto kontrata parashihen me ligj, me nenin 35 të prokurimit publik, por ne e kemi vërejtur një dukuri që në shumë raste shfrytëzimi i nenit 35 po keqpërdoret nga ana e autoriteteve kontraktuese, për këtë kemi vërejtur dy praktika se nga vijnë këto kontrata, pse paraqitet nevoja për kontraktimin e kontratave me anë të procedurës së negociuar. Njëra është se shumë aktivitete të rregullta që po iniciohen nga autoritetet kontraktuese nuk po arrijnë të nënshkruhen me kohë”, ka thënë ai.
Sipas Kabashit, vitin e kaluar vlera e kontratave të nënshkruara ka qenë 116 milionë euro, ndërsa deri në shtator të këtij viti, vlera e tyre ka arritur në 36 milionë.
“Gjatë vitit 2023 vlera e kontratave të nënshkruara ka qenë 116 milionë euro, ndërsa më 2024 vlera e kontratave të negociuara është 36 milionë. Është më e ulët, por të dhënat janë mbledhur deri më 30 shtator”, ka thënë ai.
Kabashi ka shtuar se nevojitet funksionalizimi i OSHP-së me pesë anëtarë, siç parashihet me ligj, në mënyrë që procedura e ankesave të shkojë siç duhet.
“Raport tregon se OSHP-ja fillimisht ka nevojë të funksionalizohet, të bëhet me pesë anëtarë siç e parasheh ligji, në mënyrë që të gjitha ankesat që deponohen, të trajtohen dhe të zgjidhen sipas afatit ligjor që autoritetet kontraktuese të mos përballen me vonesa në kontraktimin e kontratave, të arrin të plotësohen nevojat për furnizimin e shërbimeve apo për investime kapitale të ndryshme. Për momentin OSHP-ja funksionon me katër anëtarë, gjatë 2024 ka ndodhur dorëheqja e kryetares së bordit. Në bazë të rregullores së OSHP-së mund të merren vendime me kaq anëtarë sa janë”, ka thënë ai.