Besa Kabashi-Ramaj, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, i ka propozuar ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që të japë dorëheqje si akt moral për rastin e mosfurnizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me ushqim.
Ajo ka deklaruar se Maqedonci është përgjegjësi kryesor për këtë problem, duke shtuar se nëse ai s’është në gjendje të menaxhojë një kontratë për ushqimin “si do t’i menaxhojë kontratat për armatim”.
“...Mendoj se Maqedonci ka dështuar të adresojë një sfidë kryesore. Është përgjegjësia e tij pasi është udhëheqësi dhe menaxhuesi i këtij sektori, prandaj gjëja më e ndershme do të ishte të japë dorëheqje”, ka thënë ajo të hënën në "Interaktiv".
Sipas zyrtares së PDK-së, kjo çështje ka dëshmuar se Qeveria Kurti s’ka vizion, kompetenca dhe kapacitet “t’i adresojë problemet e sistemit të sigurisë kombëtare në mënyrë kompetente”.
“Prej disa viteve jemi të informuar që ka probleme brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Është e vërtetë që kemi pasur ndjenjë të keqe, por kemi qenë të përgjegjshëm për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen. Por, s’kemi hapur shumë tema për FSK-në që të mbesim të unifikuar sa i përket kësaj teme...Kjo me ushqim është flluska e fundit. Ka filluar moti të vlojë uji. Ka probleme shumë, një ministër që s’mund të menaxhojë një kontratë të ushqimit si i menaxhon kontratat e tjera që janë logjistike”, ka theksuar Kabashi.