Kosova është bërë me legjislaturë të re, të hënën. Është e teta me radhë dhe për herë të parë në jetën parlamentare të pasluftës një parti zë gati gjysmën e ulëseve në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që ka 58 nga 120 deputetët, dha emrin e kryeparlamentarit. Është Glauk Konjufca, një eksponent i moçëm i partisë, i cili u vu në krye të Kuvendit me votat e 69 deputetëve. Ai ishte zgjedhur kryeparlamentar edhe një vit më parë, por pak muaj më vonë la postin për t’ia lëshuar Vjosa Osmanit, e cila atëkohë ishte pjesë e Lidhjes Demokratike (LDK), e për zgjedhjet e fundit garoi në listën e LVV-së, ani se nuk aderoi në këtë parti.
Konjufca tha se nga pozita e kreut të Kuvendit nuk do të mbajë anë.
“Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie”, tha ai, me t’u ulur në karrigen e kryeparlamentarit. “Për mua si kryetar i Kuvendit do të ketë deputetë të barabartë të popullit të Kosovës, sepse kështu jeni”.
Kuvendi u konstituua pasi në seancë u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët: Saranda Bogujevci e LVV-së, Bedri Hamza i Partisë Demokratike (PDK), Kujtim Shala i LDK-së, Sllavko Simiqi i Listës Serbe dhe Bekim Arifi nga radhët e komuniteteve joserbe.
Zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarit i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të të zgjedhurve, si dhe betimi i ligjvënësve të rinj.
Kryeparlamentarit Konjufca menjëherë iu kalua edhe ushtrimi i detyrës së presidentit nga ana e kryeparlamentares së deritashme, Vjosa Osmani, e cila e ushtronte edhe këtë funksion që nga fundviti i shkuar, kur Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga pozita e presidentit.
Kreu i ri i Kuvendit tha se përkohshëm po e ushtron këtë funksion dhe shprehu besimin se shpejt aty do të vihet Osmani, të cilën LVV-ja e ka prezantuar gjatë fushatës paraelektorale si kandidate për shefe të shtetit.
“Më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit e Kryesisë së Kuvendit u hap rruga që institucionet e Kosovës të shkojnë hapave të tjerë: për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, por shumë së shpejti edhe për ju si presidente e ardhshme e Kosovës”, tha Konjufca.
Osmani pati fjalë të mira për pasuesin në detyrën që e mbajti fiks një vit pa tri ditë.
“Jam jashtëzakonisht e bindur se përgjatë këtij mandati jo vetëm që do të përfaqësoj qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre, por po ashtu do të sigurohet që Kuvendi i Kosovës të jetë shtëpi e qytetarëve, të jetë tempull i demokracisë”, tha Osmani.
Me përjashtim të Xhavit Halitit të PDK-së, opozita nuk e dha votën për Konjufcën. Madje, votë nuk dhanë as deputetë të Listës Serbe, një përfaqësues i së cilës parti u ftua të bëhej pjesë e kabinetit qeveritar, konform detyrimit kushtetues.
Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i PDK-së, tha se pushteti i ri nuk do të mund të llogarisë në votën e kësaj partie, kur në rend dite të vijë zgjedhja e presidentit, sikur nuk votoi as për Qeverinë.
Ai insistoi se Osmani nuk përbën personalitetin që përfaqëson unitetin e popullit.
“Nuk pranojmë nga askush që të na e shesë sapunin për djathë, nëse ka pretendime të tilla”, tha Hoxhaj. “Askush nuk duhet të llogarisë në votën e PDK-së për ta zgjedhur presidentin e ardhshëm”.
Edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhanë mesazhe të njëjta, ndryshe nga ata të LDK-së që janë përmbajtur nga deklarimet në lidhje me qasjen që do ta tregojnë kur në rend dite të vijë zgjedhja e presidentit.
Shumica në Kuvend do të përbëhet nga 66 deputetë – 58 të Vetëvendosjes dhe nga 8 deputetë të komuniteteve joserbe. Dy deputetë nga komunitetet joserbe, njëri i komunitetit goran e tjetri i një partie rome për të cilën ishte thënë se ishte subjekt satelit i Listës Serbe, pritet t’i bashkëngjiten grupit parlamentar të këtij subjekti të komunitetit serb dhe ndonëse e kanë një anëtar në Qeveri, do të ngelen në opozitë. E opozita shqiptare i ka gjithsej 42 deputetë.
Kësisoj, pa siguruar 80 vota, LVV-ja nuk do të mund ta bëjë zgjedhjen e presidentit.
Jetëgjatësia e legjislaturës së re pikërisht do të varet nga procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit, meqë Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit në rast se deputetët dështojnë në tri runde ta zgjedhin presidentin.
Albin Kurti, pas zgjedhjes kryeministër, nuk dha sinjale se do të tërhiqet nga kandidatura e Osmanit.
“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, unë besoj se e kanë paraqitur para pozitës e opozitës, para të gjithë deputetëve, neve qeverisë dhe secilit deputet se Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, tha Kurti dhe dha sinjale se shpejt do të organizohet seanca për zgjedhjen e saj shefe të shtetit.
Ndërkaq legjislatura e re detyrë të parë pas konstituimit ka pasur zgjedhjen e Qeverisë. Pas përmbylljes së seancës ku deputetët u betuan e u zgjodh kryetari e nënkryetarët, me kërkesë të deputetëve të LVV-së, Kryesia thirri seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë. Këtë sfidë e kaloi kur kabineti qeveritar i propozuar nga tashmë kryeministri Kurti mori 67 vota nga 120 të mundshmet.