Lagjet e banuara kryesisht me qytetarë nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian në Komunën e Gjakovës janë ballafaquar me mungesë të përkrahjes së vazhdueshme institucionale. Banorët e tyre kanë numëruar mungesën e asfaltimit të rrugëve si një prej problemeve kryesore me të cilat ballafaqohen përditë. Ata kanë thënë se premtime për zgjidhjen e problemeve u bëhen vetëm në kohë fushatash zgjedhore, teksa potencojnë se premtimet ngelen të papërmbushura pas përfundimit të zgjedhjeve
Në mungesë lodrash, disa fëmijë kanë improvizuar luhatëse karshi një deponie mbeturinash në lagjen “Ali Ibra” në qytetin e Gjakovës, vend ky që dikur, sipas banorëve, ishte park e zonë me lodra të ndryshme për fëmijët, por që tash e dy dekada ka një pamje krejtësisht të kundërt.
Banorët e lagjes, qytetarë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, kanë thënë se janë harruar nga institucionet teksa janë ankuar se deponia e mbeturinave është duke u shkaktuar telashe të shumta.
Nerxhivane Krasniqi, një banore e lagjes që për një kohë kishte jetuar në Gjermani, ka thënë se kurrë nuk do ta imagjinonte që kthimi në atdhe do t’i kthehej në këtë formë.
“Do të vdesim prej insekteve e gjarpërinjve. Ja ku e kam shpinë e madhe, se 12 vjet kam jetuar në Gjermani dhe mezi e kam ndërtuar. Kam mall të shkoj në shtëpi prej gjarpërinjve e insekteve, edhe bagëtitë më kanë ngordhur. Fëmijët po sëmuren, po kruhen. Jemi në hall”, është shprehur Krasniqi, duke e përsëritur lutjen që një ditë të mos e shohë deponinë që gjendet pranë shtëpisë së saj.
Danush Krusha, një tjetër banor, e shpreh të njëjtën lutje teksa tregon se si dukej para më se dhjetë vjetësh vendi ku tani banon.
“Këtu para 10 vjetëve ka qenë parku. Atje kanë qenë lodrat e fëmijëve. Vinin fëmijët dhe luanin. E mbushën tani me bërllok, pak nga pak erdhën deri këtu. Shikoni se si është bërë vendi. Shumë tmerr është këtu, shumë katastrofë. E kisha lutur kryetarin Ardian Gjini që ta heqë bërllokun nga këtu, sepse nuk po kemi se ku të shkojmë më”, është shprehur Krusha.
Të harruar nga institucionet
Pak metra larg lagjes “Ali Ibra” ndodhet Brekoci, një lagje e Komunës së Gjakovës që ka tërhequr vëmendje ditë më parë për shkak të reshjeve të furishme të shiut që kishin shkaktuar përmbytjen e shtëpive të banorëve të saj.
Megjithëse kanë kaluar më se një javë që nga përmbytjet, banorët kanë treguar se ende po përballen me pasojat e tyre. Ata kanë thënë se krahas ballafaqimit të vazhdueshëm me kushte të vështira ekonomike, përmbytjet ua kanë vështirësuar edhe më shumë jetën dhe se ndihmë nuk kanë marrë.
Armanda Selimaj-Krasniqi, nënë e shtatë fëmijëve, ka treguar se është e detyruar që rrobat e shpëtuara nga përmbytjet t’i lajë në duar, pasi që lavatriçja i është prishur si pasojë e ndikimit të të reshurave. Prej tyre i ka pësuar edhe shtëpia. Ajo ka treguar edhe se ka bërë përpjekje që ta gjejë një shtëpi me qira në qytet, ashtu siç ishte udhëzuar nga zyrtarët e Komunës, porse ka thënë që askush nuk ka pranuar t’i ofrojë ndihmë për strehim.
“Kemi kërkuar më lart, por nuk na ka ndihmuar askush. Kemi larë e kemi pastruar që të hyjmë në shtëpinë tonë. Le të bëhet çfarë të bëhet, të hyjmë në shtëpi tonë”, ka rrëfyer ajo. E pyetur nëse ka marrë ndihmë nga institucionet komunale, ajo ka thënë se asistenca ka qenë përherë e munguar dhe se vëmendja kah banorët e zonës përqendrohet vetëm në rastet kur ka katastrofa, sikurse përmbytjet.
“Ma herët kërkush jo, kërkush hiç, veq qetash që na murr uji kanë ardhur për të na ndihmuar ngapak. Nga një pako po e marrim. Dhe më nuk ka ardhur kush”, ka treguar Selimaj-Krasniqi.
Vahide Ibrahimi, banore e lagjes dhe nënë e 14 fëmijëve, ka treguar se familja e saj nuk ka se ku të shkojë, pasi që një pjesë e madhe e gjërave në shtëpi i janë dëmtuar nga përmbytjet.
“Jemi 15 vetë brenda. Ku të shkojmë ne? As s’kemi dyshekë, as s’kemi jorganë e as jastekë. Kurgjë nuk më ka shpëtuar...”, ka thënë ajo. Ibrahimi ka treguar gjithashtu se si pasojë e dëmtimit të rrugës nuk ka mundur që t’i dërgojë fëmijët e saj në shkollë.
“Jo, as fëmijët nuk i çojmë në shkollë se rruga është lloç. Nuk kanë as tesha për të veshur. Ne jemi shumë të varfër. Kemi punuar tërë verën për t’u rrethuar për dimër, e edhe atë që kemi bërë, krejt na ka marrë”, ka treguar Ibrahimi, duke folur rreth dëmeve që ia kanë shkaktuar përmbytjet familjes së saj.
Premtime veç për vota
Lagjet e banuara kryesisht me qytetarë nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian në Gjakovë janë ballafaquar me mungesë të përkrahjes së vazhdueshme institucionale. Banorët kanë numëruar mungesën e asfaltimit të rrugëve si një prej problemeve kryesore me të cilat ballafaqohen përditë.
Premtime për zgjidhjen e problemeve ata kanë thënë se u bëhen vetëm në kohë fushatash zgjedhore, teksa potencojnë se premtimet ngelen të papërmbushura pas përfundimit të zgjedhjeve.
Lendrit Qeli, nga organizata joqeveritare “Perspektiva”, ka thënë se kushtet e jetesës për komunitetet e këtyre zonave nuk kanë ndryshuar ndër vite.
“Gjendja e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në përgjithësi në Republikën e Kosovës konsiderohet e brishtë. Po e them kështu me plot gojën, sepse pavarësisht politikave të ndryshme që ka hartuar Qeveria e Kosovës, ato duken që nuk kanë qenë të efektshme”, ka thënë ai teksa e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm buxhetin e ndarë nga Qeveria për komunitete joshumicë.
Qeli ka theksuar se komunitetet joshumicë marrin vëmendje vetëm në raste të emergjencave, ndërsa ka kritikuar institucionet përgjegjëse për thellimin e gjendjes së vështirë të tyre.
“Për momentin, me atë që ballafaqohemi dhe që po e shohim çdo ditë, nuk duket që ka shumë gatishmëri të madhe për t’i mbështetur zonat e komuniteteve. Vetëm kur shohim gjendje emergjente, shohim edhe vërshimet e fundit...vetëm kur ka momente të vështira dhe trajtim më të madh medial shihet se ka mbështetje për ta mbështetur zonën”, ka theksuar Qeli.
KOHA ka pyetur zyrtarë të Komunës së Gjakovës lidhur me projektet e parapara për komunitet, porse askush nga zyrtarët e këtij institucioni nuk ka kthyer përgjigje.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, fillimisht kishte shprehur gatishmërinë që t’u përgjigjet pyetjeve të KOHËS lidhur me problematikën, porse më pas është tërhequr, me justifikimin se i ka dalë një punë urgjente.
Raporti “Pasqyrë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”, i publikuar gjatë vitit 2020 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka treguar se një pjesë e komunave të Kosovës nuk i ofrojnë mundësitë e duhura për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.
Në raport përmendet me theks të veçantë mundësia për punësim dhe mirëqenia sociale e komuniteteve në Komunën e Gjakovës.
“Komuna e Gjakovës nuk e ka përmbushur as pragun minimal për përfaqësim të përgjithshëm të komuniteteve dhe as kuotën e veçantë për përfaqësimin e secilit komunitet në shërbimin civil komunal. Vetëm pesë nëpunës civilë nga komuniteti rom dhe ai egjiptian janë të punësuar, që është nën pragun minimal, ndërsa komuniteti ashkali nuk është i përfaqësuar në shërbimin civil komunal”, është thënë në raportin e OSBE-së.
Dokumenti ka treguar gjithashtu se mbështetur në regjistrimin e popullsisë nga viti 2011, në Komunën e Gjakovës jetojnë 5.117 qytetarë egjiptianë, 738 romë dhe 613 nga komuniteti ashkali.
Shkelja e të drejtave të këtyre tri komuniteteve joshumicë është potencuar në një raport të Zyrës Ndërkombëtare të Punës, në të cilin është specifikuar se korniza ligjore në Kosovë është e fortë porse që zbatimi i saj nuk bëhet.
“Megjithëse komplekse, korniza ligjore dhe institucionale e Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë siguron një bazë të fortë për promovimin e respektimit të të drejtave individuale dhe grupore. Strategjitë dhe programet për zbatimin e këtyre të drejtave, përfshirë qasjen e barabartë në tregun e punës për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian janë në dispozicion. Pavarësisht këtyre, të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë kanë shkallën më të lartë të papunësisë, joaktivitetit dhe popullatës që nuk është as në shkollë, as në punë e as në aftësim profesional (NEET), nivele më të larta të varfërisë, arritje më të ulëta arsimore dhe qasje më të ulët në shërbime të tjera publike në krahasim më popullatën tjetër të Kosovës”, thuhet në raportin e titulluar: “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”.
Krahas atyre në Komunën e Gjakovës, raporti ka përfshirë edhe komunitetet joshumicë që jetojnë në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.