Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë 5 patentë shoferët e parë ndërkombëtarë.
Ndonëse për t’u njohur këta patentë shofer Kosova duhet të jetë pjesë e OKB-së dhe nënshkruese e Konventës Ndërkombëtarë për Patentë Shofer, kjo ministri gjatë lansimit të këtyre patentëve ka thënë se po bënë përpjekje që të arrijë marrëveshje me shtete veç e veç për t’u lehtësuar qytetarëve të Kosovës që të qarkullojnë lirshëm me këta patentë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bajram Gecaj ka thënë se ata janë duke biseduar zhvillime me qeverinë gjermane dhe disa shtete të tjera ku ka komunitet më të madh të qytetarëve të Kosovës në mënyrë që t’u njihet kjo patentë.
“Ne jemi duke bërë përpjekje individuale me shtet ku e kemi të koncentruar komunitetin tonë, si me Italinë, Gjermaninë dhe Austrinë, për të arritur marrëveshje individuale me këto shtete për njohje të patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ju mundësojmë diasporës tonë që të kenë qasje më të leha në këto shtete me dokumente të Kosovës”, Gecaj.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha, vuri në dukje se me aktin e sotëm po tregohet një vazhdimësi e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës dhe ndarja e patentë-shoferit ndërkombëtarë është në trendet ARC-së dhe MPB-së në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.
Ai tha se prej njoftimit për fillimin e prodhimit të patentë-shoferëve ndërkombëtare, deri më tani rreth 500 qytetarë kanë aplikuar për tu pajisur më këtë dokument.
Në fund Hoxha ka thënë se në kuadër të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, nga java e ardhshme do të fillojnë shërbimet për vulat apostile edhe në disa qytete tjera të Kosovës dhe nuk do të jetë e koncentruar vetëm në Prishtinë.