Arbëri

“Javelin” pjesë e inventarit të FSK-së, kryhet pagesa e parë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se tashmë kanë realizuar pagesën e parë për blerjen e raketave antitank “Javelin”, pas dhënies së dritës së gjelbër nga Kongresi Amerikan në fillim të këtij viti. Paraprakisht Departamenti Amerikan i Shtetit ia kishte pranuar Kosovës kërkesën për blerjen e 246 raketave vlera e të cilave arrin në 75 milionë dollarë

Blerja më e madhe në armatim këtë vit së shpejti do të jetë pjesë e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se tashmë është kryer pagesa e parë për raketat antitank, “Javelin”.  

“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra është çështje e kryer, Javelin do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci. 

Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.  

Departamenti Amerikan i Shtetit pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së.  

Sistemi raketor që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4.000 metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë.  

Ngritja e kapaciteteve mbrojtëse bëhet në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.  

Veç Shteteve të Bashkuara, mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë: Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia. 

“Në vitin 2023 buxheti ka arritur në kuotën mbi 2 për qind, diku 204 milionë euro, që nënkupton që jemi në kuotën që synohet edhe nga vendet e tjera të NATO-s e që ende nuk e kanë përmbushur. Gjithë kjo ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe disa prej sistemeve që kanë qenë të parapara të blihen në fazën e mëvonshme, janë blerë në këtë fazë”, është shprehur Maqedonci.  

Në periudhën prej vitesh parashihet edhe rritja e numrit të këmbësorisë mbrojtëse të FSK-së, e cila do të përbëhet nga 5 mijë trupa aktive.