Qytetarë të Prishtinës përballen çdo natë me zhurmë të lartë, nga lokalet e natës. Sistemi për monitorimin e zhurmës është jofunksional, e autoritetet komunale nuk kanë trajtuar shumë nga ankesat që banorët e qendrës kanë bërë.
Zhurma në lokale të natës buçet fort edhe brenda banesave të qytetarëve që banojnë në qendër të Prishtinës.
Problemi që i shoqëron banorët nuk mori zgjidhje me zbatimin e projektit të Komunës për të monitoruar zhurmën, nëpërmjet pajisjeve që regjistrojnë decibelët. Sistemi i promovuar me pompozitet nga kryetari Përparim Rama, është defunksionalizuar.
Shegë Shkodra ka banesën në qendër të kryeqytetit dhe thotë se çdo natë përballet me zhurmën e padurueshme.
“Pse unë nuk po mundem ende të qëndroj në shtëpi e qetë? Pse unë ende duhet ta thërrasë shtatëdhjetë herë policinë? Pse unë ende duhet të çojë ankesa në komunë? Është e pakuptueshme se si nuk e kuptojnë bizneset, domethënë që veç janë duke penguar. Është e drejtë e secilit ta ushtrojë punën që e ka, qysh do që e ka, por jo nëse e dëmton tjetrin”, ka thënë Shkodra.
Ajo tregon se vazhdimisht është ankuar në Komunë, por zgjidhje nuk i është bërë.
“Përveç ankesave që i kemi dorëzu unë dhe familja ime, sepse jemi direkt të prekur prej ndotjes akustike që vjen prej lokaleve, kafeterive poshtë, më herët edhe në bashkëpunim me krejt mëhallën kemi protestu, kemi shkuar te ndërtesat e komunës, kemi bërë edhe ankesë të përbashkët, kemi bërë edhe krejt këto... ankesa, peticione”, ka thënë Shkodra.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për ankesat e qytetarëve dhe për mosfunksionimin e sistemit të matjes së zhurmës, por nuk ka marrë përgjigje.
Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet adresuar Policisë dhe kompanisë “Fara”, e cila është udhëheqëse e konsorciumit që e ka fituar tenderin për sistemin e monitorimit të zhurmës.
Në mungesë të veprimeve institucionale, lokalet e natës shpërfillin orarin e edhe lëshojnë muzikë përtej decibelëve të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës.