Arbëri

Jasharaj: Shkollat ende janë te shpuza e shkumësi

Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se shkollat kosovare ende kanë mungesë të madhe të mjeteve dhe të teknologjisë. Ai ka thënë për KOHËN në Ditën e Mësuesit se mësimdhënësit japin kontributin e tyre, por “shpuza dhe shkumësi” ende janë pjesë e procesit mësimor.

Sipas Jasharajt, pos disa shkollave që kanë përfituar donacione të huaja që janë më të rregulluara, shumica e tyre s’i kanë kushtet e shekullit XXI.

“Brengat e mësimdhënësve në vend janë të shumta. Mësuesit bëjnë çmos që të japin kontributin fisnik në procesin e arsimit, por ata fatkeqësisht s’i kanë kushtet e punës që t’i përdorin...Të gjitha zonat në Kosovë në përgjithësi nuk i kanë kushtet e duhura punës, ende jemi te shpuza e shkumësi. Mjetet e shekullit XXI mungojnë në shkollat tona, sado që mësimdhënësit e japin më të mirën. Mësimdhënësit e rinj kanë vullnetin për të punuar, por duhet një përkrahje e institucioneve që të vazhdojnë punën”, ka thënë kreu i SBASHK-ut.

Për mësimdhënësit, problematike është edhe çështja e pagave, që u rregullua së fundmi me Ligjin e Pagave.

“Ne s’jemi të kënaqur me koeficientin, do të donim të ishte 120 koeficienti, e jo 105 sa është tash. Por, kemi vendosur që të mos ta kontestojmë dhe mos ta dërgojmë në Kushtetuese. E mira e kësaj është që pagën e kemi të rregulluar me Ligj dhe presim rritje në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, duke thënë se mësimdhënësja është mision.

“Të dashur mësimdhënës. Po e shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare. 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision, sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet. Prandaj dhe kujtojmë me nderim të gjithë ato mësimdhënëse e mësimdhënës që i falën jetën arsimit shqip ndër vite”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.