Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka thënë se ndërmarrja “Trepça” është ngufatur nga përmbaruesit dhe borxhet e mbetura si rezultat i keqmenaxhimeve
Të enjten, kur është shënuar edhe 36-vjetori i grevës së minatorëve, Januzi ka thënë se gjendja në këtë ndërmarrje është shumë e rëndë dhe pasojat po i vuajnë vetë minatorët.
“Ndërmarrja është zhytur dhe ka hyrë në borxhe dhe obligime të mëdha për furnizime operative dhe keqmenaxhim që ka ndodhur ndër vite. Trepça është ngufatur nga përmbaruesit, nga obligimet paraprake të borxheve të mbetura dhe si rezultat i atyre keqmenaxhimeve sot jemi në një gjendje shumë të rëndë, e për të cilën pasojat më të mëdha po i vuajnë vetë minatorët”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se për 25 vjet, qeveritë nuk kanë pasur strategji të mirëfilltë se çfarë të bëjnë me mineralet shtetërore.
“Tash po shohim që 25 vjet, duke marrë parasysh se të gjitha qeveritë e Kosovës nuk kanë pasur një strategji të mirëfilltë se çfarë do të bëjnë me mineralet apo me rezervat e mineraleve shtetërore e për të cilën Trepça gjendet në një gjendje jashtëzakonisht shumë të rëndë, për të cilën nuk po mund t’i tejkalojë sfidat”, është shprehur ai.
Sipas Januzit, nevojitet një shkritore që e përpunon dhe finalizon produktin, në mënyrë që të krijohen më shumë të hyra dhe përfitime të tjera.
“Nuk e kemi një shkritore që e përpunon dhe e finalizon produktin, që do të krijonte shumë të hyra dhe shumë përfitime, e do të krijonte shumë të hyra dhe përfitime si rritje të punësimit, tatime më të mëdha, tatime në pagë, tatime në fitime”, ka theksuar ai.
