Arbëri

Janjiq: Bojkotimi i votimit, dështim i Qeverisë së Kosovës dhe i Vuçiqit

Dushan Janjiq

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, ka deklaruar se bojkotimi i procesit të votimit në veri është dështim i Qeverisë së Kosovës dhe i politikave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai është shprehur të dielën në KTV se Qeveria e vendet e QUINT-it duhet të fillojnë “dialogun me gjithë serbët që janë aktiv politikisht dhe që duan të flasin”.

“Kjo ndodh vetëm nëse Qeveria e Kosovës bën ndonjë hap të gabuar në mënyrë që nuk do të duhej të bënte. Ky bojkot është dështim i Qeverisë së Kosovës në perceptimin që ka dhënë për të zgjidhur këtë krizë, por, po ashtu, është dështim i Listës Serbe dhe  i politikave të Vuçiqit. Tash është momenti i Qeverisë së Kosovës dhe i vendeve të QUINT-it për të filluar vërtet dialogun me gjithë serbët që janë aktiv politikisht dhe që duan të flasin”, është shprehur Janjiq, i pyetur nese mund të ketë valë tjetër të dhunës në veri pas dështimit të votimit.

Sipas Janjiqit, rreziku aktualisht është për të lëvizur drejt një rreziku për sigurinë, duke theksuar se “mund të ketë disa incidente siç pati thirrje formale për të bojkotuar votimin”.

Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës t’i pastrojë listat zgjedhore dhe të përgatisë një fotografi të qartë “se kush është qytetari i Kosovës”.

“E dyta, t’ju ofrojë serbëve, jo të presë nga Lista Serbe apo Beogradi, por t’ju ofrojë serbëve një program të integrimit. Mirë, e dimë se Asociacioni është pjesa e parë por unë po flas për politika ditore. Fatkeqësisht, mund të them si një observues që jam, që ishte veç një qeveri e Kosovës, ishte qeveria e udhëhequr nga Thaçi që ofroi një zyrë për integrimin e serbëve në veri. Ylber Hysa ishte koordinator i kësaj strategjie por që pati një jetë të shkurtër si zyrë. Serbët tash duhet ta pranojnë realitetin, ata duhet t’i adresohen Qeverisë së Kosovës, Këshillit të Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë dhe jo vetëm të shikojnë në drejtim të Beogradit”, ka theksuar Janjiq.

Sipas tij, i takon presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i tregojnë opinionit publik “se pse Lista Serbe mblodhi nënshkrimet në fund të janarit dhe tash pse po dorëzohen”.

“Por pse atëherë e bënë një gjë të tillë dhe cili ka qenë roli i Lajçakut në gjithë këtë tregim dhe ky është një shpjegim që po mungon. Por në bazë të informacioneve të mia, Lista Serbe ka llogaritur dhe ka ardhur në përfundim se nuk është mirë për Listën Serbe, nuk është mirë për Vuçiqin, për të larë gabimet e Kurtit”, ka potencuar Janjiq.

Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka shtuar tutje në KTV se pritej bojkotimi i procesit të votimit, e këtë momentum ai tha se “s’e quan aq të keq”.

“Tash është koha për të dyja palët: për Qeverinë e Kosovës dhe për Qeverinë e Serbisë t’i rimendojnë politikat e tyre e po ashtu është koha edhe për grupin e QUINT-it që t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës që të bëjë hapa të njëanshëm, për të organizuar zgjedhje të reja....”, ka thënë ai.