Edhe pse me rregullore dhe Ligjin për Zgjedhjet është dashur që të hënën të fillojë verifikimi i votave për partitë politike dhe të nisë numërimi për kandidatët, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo, sipas Naim Jakaj, hulumtues në IKD, do ta dëmtojë procesin dhe mund të çojë në kontestim të rezultateve zgjedhore.
“Në fund procesi do të jetë i dëmtuar, do të lë shije të keqe për të cilin përgjegjës është KQZ-ja, përbërja edhe politike por edhe sekretariati i KQZ-së. Në fund do të lë shije të keqe dhe do ta lëndojë procesin në kuptimin që në fund edhe partitë politike mund t’i kontestojnë rezultatet zgjedhore. Prej vitit 2013-2014 është krijuar standardi që asnjë parti nuk i ka kontestuar politikisht zgjedhjet, i ka kontestuar në mënyrë ligjore”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Jakaj nuk mendon se mund të ketë manipulim të votave, pasi ka theksuar se ka transparencë të madhe.
“Meqë ka kamera, ka vëzhgues... Duket se ka transparencë më të madhe dhe nuk mund të devijohet vota e qytetarit në atë masë që ta zëmë një deputet komisionerët ta heqin prej listës, ose t’i shtojnë dikujt më shumë se që ka”, u shpreh ai.
Sipas tij, legjislatura e ardhshme nuk do të ndryshojë shumë nga përbërja e numrave të ulëseve nga kjo e fundit.
“Duke i pa numrat si kanë dalë, besoj që nuk do të ndërrojë shumë legjislatura e nëntë, edhe pse nuk i dimë emrat, por për nga përbërja numerike do të ketë probleme të njëjtë që do ta pengojnë funksionimin e një parlamenti demokratik”.
Jakaj nuk pret që përbërja e re e Kuvendit të jetë e përgjegjshme.
“Nuk pres që do të ketë një Kuvend më të përgjegjshëm sepse ka polarizim të skajshëm që fillimisht gjatë fushatës e ka prodhuar kandidati i VV-së, Albin Kurti, në ndërkohë pati probleme nga partitë e tjera. Pati gjuhë nxitëse dhe përçarëse ndaj kundërshtarëve politike, mediave e shoqërisë civile”, ka thënë ai.