Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexha, ka deklaruar se duhen mbi 300 shkolla të reja që të mundësohet të zhvillohet mësimi tërëditor në tërë Kosovën.
Ai ka deklaruar të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se kjo kërkon qasje sistematike dhe shumëdimensionale “si dhe mirë të planifikuar”.
“Duhen diku 300 e diçka shkolla. Janë para të mëdha, prandaj duhet qasje në gjithçka. Sistematike dhe shumëdimensionale dhe mirë e planifikuar. Njerëzit janë lodhur me reforma, edhe një reformë e paplanifikuar neve do të na rrëzojë. Duhet qasje sistematike”, ka deklaruar Rexha.
Ai tutje ka theksuar se fillimisht duhet nisur në disa komuna që më pas të vazhdohet në komuna më të mëdha. Rexha tutje është shprehur se për 3-4 vjet do të duhej të niste procesi i mësimit tërëditor.
Jaha: Asnjë parti prej pasluftës nuk është marrë me arsimin
Profesori Besnik Jaha ka deklaruar se asnjëri subjekt politik s'është marrë ndër vite me çështjen e arsimit në Kosovë.
Ai ka thënë në debatin “Zgjedhjet në KOHË” se partitë e kanë kuptuar se arsimit “s’është në trend dhe s’tërheq masën popullore”.
“Partitë duhet ta kuptojnë se shkolla s’është vetëm objekt, e as mësimdhënësi s’është një person e as mësimdhënia një proces. Shkolla është koncept, mësimdhënësit duhet t’i kthehet dinjiteti, që mësimdhënia të bëhet me dëshirë”, ka deklaruar Jaha.
Sipas profesorit, mësuesit e rinj “mezi po presin që të kërkojnë mundësi të tjera pune”.
Sopi: Arsimit në Kosovë i duhet reformë rrënjësore
Analisti Agim Sopi ka deklaruar se partitë politike nuk e kanë pasur prioritet arsimin në Kosovë, duke shtuar se arsimi themelor ka probleme të mëdha.
Ai ka deklaruar të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se arsimit kosovar i duhet një reformë rrënjësore, duke theksuar se arsimi s’prodhon para e elektorat “prandaj s’ka qenë prioritet”.
“Arsimi themelor në Kosovë ka probleme të mëdha dhe i duhet një reformë rrënjësore. Fatkeqësisht, klasa jonë politike në shumicë të madhe, po funksionon sipas atij parimit ‘për atdhe jap kokën, por për para jap atdheun’. Kështu kemi ardhur deri sot e jemi këtu”, ka deklaruar Sopi.