Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e kryer, e sipas tij, formatin e tij duhet ta bëjë Qeveria.
Isufi është shprehur të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se Qeveria duhet të merret me çështjen e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, “e jo me tema të tjera që e dobësojnë pozicionin”.
“Themelimi i Asociacionit, temë e kryer e s’ka nevojë të manipulohet më tutje. Meqë është pranuar themelimi më mirë është ta bëjë Qeveria e Kosovës. Kjo e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare është shumë skandaloze. Atë që e kemi parë që e ka pranuar Qeveria, patjetër Gjykata Kushtetuese duhet ta ketë në konsideratë shkeljen. Kemi elemente që tejkalojnë kushtetutën...Po i iket temës kryesore për marrëveshjen me Serbinë me tema të tjera...Konsideroj se kjo Qeveri s’e kupton rolin që e ka në raport me interesat e Kosovës. Ka interesa politike të ngushta e me populizëm e me formë të tillë mundohet të mbajë veriun si të tillë, që pastaj të merren me tema të tjera, e jo me temën kryesore që është marrëveshja për avancim”, ka deklaruar zyrtari i AAK-së.
Sipas Isufit, Kosova po i pranon marrëveshjet me Serbinë, por nuk i zbaton ato, duke thënë se kjo po shkakton probleme edhe në miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Veri është çështje politike e jo policoe, s’është e detyrueshme që me dhunë të kesh situatën nën kontroll. Policia po e kryen detyrën, por problemi mbetet politik. Me komunitetin serb në veri duhet të komunikohet. Kemi të bëjmë me territorin tonë e zbatimin e ligjit të Kosovës. S’po shohim angazhim të Qeverisë në drejtim të qytetarëve atje, pos me një aparat policor që s’është i mjaftueshëm. Komunikimi dhe integrimi është i domosdoshëm”, ka theksuar Isufi i AAK-së.
Ai ka shtuar se Qeveria Kurti nuk ka sjell zhvillim ekonomik.
“Nuk shohim ndonjë përparim në kuptim të vazhdimit të punëve nga kjo Qeveri, kur kemi parasysh zhvillimin ekonomik. Kemi ikja të rinisë e të gjitha segmentet e shoqërisë kanë pakënaqësi pasi s’kemi ngritje të pagave”, shtoi ai.