Kushtrim Istrefi profesor në Universitetin e Utrehtit, ka thënë se kanë mbetur më pak se tri ditë kur Kosova mund të vendoset në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Shtetet e QUINT-it, sipas tij, e kanë bërë të qartë se kërkojnë nga Kosova që draft-statuti për Asociacionin të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të ndermirën disa hapa tjerë konkretë në këtë drejtim.
Ka shtuar se Qeveria e ka bërë të qartë në anën tjetër, se nuk planifikon të procedojë me një kërkesë të tillë për shkak të arsyeve që ndërlidhen me kushtëzimet jo të natyrshme që QUINT-i po i bënë në këtë periudhë.
“Për procesin e anëtarësimit në KiE, Kosova ka kaluar qe dy vjet në një periudhe të një analize shumëdimensionale nga institucione të ndryshme të KiE-së të cilët kanë bërë analizën e gjendjes, kanë vendosur kriteret për anëtarësim dhe në fund kanë votuar në favor të plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës lidhur me anëtarësimin në KiE. Çështja e kritereve ka ngritur edhe çështjen e Asociacionit disa herë me radhë, por vetë mekanizmat e Asamblesë Parlamentare kanë mendua që kjo çështje mund të jetë relevante në periudhën pas anëtarësimit të Kosovës në KiE”, ka thënë ai.
Sipas tij kushtëzimi që vjen nga QUINT-i është në shpërputhje me opinionin e Asamblesë Parlamentare që mendon se janë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE.
Istrefi ka deklaruar se qasja e QUINT-it lidhur me çështjen e Asociacionit që derivon nga dialogu, nuk ka për qellim ta adresojë çështjen e dialogut në tërësi, por vetëm një pjesë të veçantë që ndërlidhet me Kosovën.
“Nuk kam parë ndonjë lëvizje, ku për shembull Serbisë i është pamundësuar ndonjë aktivitet ndërkombëtar për shkak të dialogut me Kosovën. Ndërlidhja e këtyre proceseve ose duhet të bëhet për të dyja palët, ose nuk duhet të bëhet vetëm për njërën palë. Ekziston një praktikë disavjeçare ku shtetet e QUINT-it nuk kanë bërë maksimumin e tyre për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës aty ku kanë pasur mundësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, duhet të bëhet një analizë më e thellë e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e QUINT-it.
Ka shtuar se ajo që po ndodh tani në Këshill, është shpërfaqje e një situate që po ndodhë qe shumë kohë më parë.
Istrefi ka thënë se QUINT-i duhet të bindet që strategjia e tyre nuk është e duhura.
Ai ka thënë se pengesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE është goditje direkte ndaj fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Ka deklaruar se QUINT-i po ndjek strategji që i shkon në favor Serbisë.