Për shkak të erërave të forta, disa zona të komunës së Istogut kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Abedin Kabashi, tha për KOHËN të dielën mbrëma se lagjet që kanë mbetur pa energji elektrike do të inspektohen gjatë së hënës nga ekipet e KEDS-it. Gjatë kësaj dite, sipas tij, është paraparë që të stabilizohet furnizimi i plotë.
Ndërsa, Kabashi theksoi se që nga e shtuna, erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Kemi disa shtëpi të dëmtuara dhe objekte banesore, kryesisht tjegulla të hequra nga kulmet. Një pjesë e kulmit të palestrës së sportit është dëmtuar dhe infrastruktura përcjellëse. Energji elektrike nuk ka në disa zona prej ditës së djeshme pasi ajën dëmtuar shtyllat elektrike”, tha ai.
KEDS-i njoftoi gjatë ditës së erërat kanë dëmtuar disa shtylla elektrike.
“Si rezultat janë dëmtuar përçues elektrikë dhe shtylla elektrike në disa vende, duke lënë pa furnizim me energji elektrike një numër të caktuar të konsumatorëve tanë. KEDS-i ka shtuar ekipet në terren në mënyrë që të sanojnë dëmet e shkaktuara. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë në këto zona të afektuara nga erërat dhe shpresojmë se në një afat sa më optimal gjendja me furnizim me energji elektrike do të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftim.