Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është ndaluar nga Policia e Maqedonisë së Veriut, me një fletarrest të lëshuar nga Serbia, ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik se është informuar për arrestimin e një shtetasi kosovar nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Fjala është për z. Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KOHËN.
Tutje bëhet e ditur se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja është angazhuar intensivisht për ta trajtuar rastin.
“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, z. Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD Jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të z. Ramadani”, thuhet në përgjigje.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj.
Në faqen zyrtare të kësaj organizate në Facebook, thuhet se aktakuzat e fabrikuara dhe arrestimet e bashkëluftëtarëve janë të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët.
“OVL-UÇK dega në Ferizaj bën apel tek shteti maqedonas që menjëherë të lirojë Blerim Ramadanin, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Drejtësisë që të përdorë të gjitha mjetet diplomatike e juridike për lirimin sa më të shpejtë të bashkëluftëtarit të lirisë, veteranin e ditëve të para”, thuhet në reagim.