Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kërkua nga trupi gjykues në Gjykatën Speciale, që të ruajë paanshmërinë dhe të mos mbajë anën e Prokurorisë.
Ata kanë thënë se janë shkelur të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe tribunal të pavarur.
“Është themelore që një trup gjykues jo vetëm të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por gjithashtu të sigurojë dukjen e paanshmërisë. Pyetjet e pakufizuara gjyqësore ndaj dëshmitarëve, gjatë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut dëshmues më 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, po rrezikojnë dukjen e paanshmërisë në këto procedura dhe po shkaktojnë një paragjykim të identifikueshëm për mbrojtjen”, thuhet në dokumentin e publikuar në uebfaqen e Speciales.
Letra e dorëzuar më 13 nëntor, u publikua më 21 nëntor. Aty thuhet se kërkohet që të kufizohen paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
“Siç shpjegohet më poshtë, pyetjet gjyqësore po avancojnë rastin e Prokurorisë ose një rast gjyqësor të ngjashëm me të, duke marrë rolin që normalisht do të luhej nga ripyetja e Prokurorisë dhe duke dështuar të sqarojnë ose eksplorojnë ndonjë informacion shfajësues. Mbrojtja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin (“Mbrojtja”) kërkon nga trupi gjykues të marrë masa për të siguruar dukjen e paanshmërisë dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore”, thuhet aty, raporton BetimipërDrejtësi.
Madje, katër të akuzuarit përmes mbrojtjes së tyre kanë thënë se koha e përdorur për pyetje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri prej katër ekipeve të mbrojtjes gjatë një blloku të dëshmitarëve.
Mbrojtja e quan më shqetësuese mënyrën e pyetjeve se si bëhen nga trupi gjykues, e që ata thonë se nuk mund të perceptohen si të paanshme.
Gjithashtu, mbrojtja thotë se Prokuroria nuk e percepton se pyetjet e gjyqtarëve po e sfidojnë çështjen e saj. Kurse, mbrojtja sipas tyre e sheh që pyetjet e gjyqtarëve po e minojnë parimin e prezumimit të pafajësisë së të akuzuarve.
Sipas katër të akuzuarve të përfaqësuar nga mbrojtja e tyre, kjo është pabarazi dhe është në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarve.
Të akuzuarit kanë kërkuar nga Paneli që të marrë masa për të siguruar që secili nga anëtarët e tij të veprojë me paanshmëri. Ndërsa, si masë për t’u realizuar kjo, sipas katër të akuzuarve që përfaqësohen nga mbrojtja e tyre kanë të bëjnë me bërjen e pyetjeve që e sfidojnë Prokurorinë. Po ashtu ata kanë kërkuar kufizimin e praktikës së sugjerimit të përgjigjeve të dëshmitareve, si dhe shmangien e pyetjeve që përdoren si mjet për të nxjerrë prova kundër të akuzuarve.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.