Presidenti amerikan, Joe Biden, ka planifikuar t’i ndajë 200 milionë dollarë për Kosovën. Programet e këtilla, nga të cilat përfiton Kosova, zbatohen në Prishtinë nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës, në Bordin e të cilit deri të hënën paradite figuronin njerëz të ish-pushtetit. Mbështetur në një auditim të bërë, në paga dhe shpenzime të tjera që lidhen me zyrën, Fondacioni ka harxhuar më shumë se 1.5 milionë euro
Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është një agjenci e Shteteve të Bashkuara, e cila kumtoi planin e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i ndarë 200 milionë dollarë për Kosovën.
Programet e këtilla, nga të cilat përfiton Kosova, zbatohen në Prishtinë nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës, në Bordin e të cilit deri të hënën paradite figuronin njerëz të ish-pushtetit.
Aty ishin ish-ministrat Selim Selimi e Muharrem Nitaj, si dhe Faton Peci, që ishte shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, e Ardita Dushi, që ishte shefe e kabinetit të ish-kryeministrit Avdullah Hoti.
Pas pyetjeve që KOHA ka adresuar në Fondacion, por edhe në Presidencë dhe në Qeveri, emrat janë ndërruar. Ata janë zëvendësuar me ministret Albulena Haxhiu e Artane Rizvanolli, me Blerim Velën, shef i stafit të presidentes Osmani, si dhe me Luan Dalipin, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti.
Por, në krye të Fondacionit vazhdon të jetë Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm. Rreth 5 vjet më parë ai kishte lënë Ekzekutivin për t’u vazhduar si koordinator kombëtar i MCC-së për Kosovë, e më pas drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Mijëvjeçarit në Kosovë.
Mbështetur në njoftimin e MCC-së, 200 milionë dollarët e planifikuar nga presidenti Biden do të jenë të përqendruara kryesisht në programe për energji.
Në Fondacionin që selinë e ka në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, nuk kanë treguar gjatë ditës për shumat monetare me të cilat janë mbështetur projekte dhe as sa nga kjo shumë është ekzekutuar deri tash. Ndërkaq bazuar në një raport auditimi, Fondacioni ka harxhuar më shumë se 1.5 milionë dollarë, për paga, shpenzime të zyrës, udhëtime, publikime, mobilim të zyrave, konsulencë, trajnime dhe shpenzime të tjera. (15)
Në fund të vitit 2016, shkaku i korrupsionit në rritje, Kosova ishte përjashtuar nga programi Compact i MCC-së, në të cilin kishte qasje në qindra milionë dollarë. Programi afatshkurtër në të cilin pati degraduar ofroi fonde shumë të kufizuara.