Ka nisur punimet konferenca e Federatës së Paqes Universale, në të cilën ish-presidentë të vendeve të rajonit thanë se Serbia qëndron pas sulmit në Banjskë. Ata bënë përgjegjës këtë shtet edhe për nxitje të destabilizimit të rajonit
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, akuzoi Serbinë si organizatore direkte të sulmit në Banjskë.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë që e organizoi në Prishtinë Federata e Paqes Universale, Moisiu u shpreh se serbët që jetojnë në veri të Kosovës janë të interesuar të jetojnë në paqe me shqiptarët, porse kjo dëshirë e tyre pengohet nga urdhërata që u vijnë nga Beogradi.
“Ka pasur përkeqësime shumë shqetësuese siç është rasti në Komunën e Zveçanit dhe sulmi në Banjskë, të cilat dihet botërisht se janë të organizuara direkt nga Beogradi. Kohët e fundit, presidenti Vuçiq pa asnjë lloj droje ka dhënë porosi të reja për serbët e veriut për të ashtuquajtura kushte për zgjidhjen midis dy vendeve. Disa prej tyre janë edhe shumë të çuditshme, siç është rikthimi i kuadrove serbe në polici, gjyqësi e të tjera institucione, sikur ata i largoi Qeveria e Kosovës nga këto vende, pa përmendur fare pse ndodhën”, ka thënë Mojsiu.
Edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se nëpërmjet sulmit në Banjskë, Serbia nxiti destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
“Rajoni duhet të jetojë në paqe dhe stabilitet në mënyrë që të mos paraqiten turbulenca të sigurisë dhe elemente nacionaliste që duan përmes projekteve shkatërruese për të mbajtur pushtetin qoftë edhe me dhunë. Në këtë kontekst ajo çka na tërheq vërejtjen është politika e dhunës e Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Kujtoni agresionin e paramilitarëve serbë me Banjskë, vitin e kaluar”, ka thënë Sejdiu.
E ish-presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, tha se paqja dhe stabiliteti është përgjegjësi e gjashtë shteteve të rajonit.
“Paqja dhe stabiliteti i rajonit perëndimor duhet të sigurohet nga vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor, mos të bartim përgjegjësinë tënde te dikush tjetër, as te Bashkimi Evropian, as te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi vetë jemi përgjegjës të pajtohemi”, ka theksuar Vujanoviq.
Kritik ndaj lidershipit të Serbisë u tregua edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
“Bashkëpunim më shumë se konfrontim, bashkëpunim më shumë sesa konflikt. Ky duhet të jetë qëllimi kryesor në Ballkanin Perëndimor. Serbia mund të kontribuojë në përparimin e njerëzve të vendit të vet dhe më pastaj të rajonit. Shumë njerëz në Serbi e bëjnë këtë, por lidershipi i Serbisë nuk po e bën një gjë të tillë. Ata po sillen në mënyrë agresive, duke mos e pranuar të kaluarën”, ka thënë Mandl.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se paqja është e brishtë kudo në botë dhe theksoi se vazhdimisht në Kosovë është luftuar për paqe.
“Paqja në rajonin tonë dhe sidomos në Kosovë është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë. Është dashur të luftohet dhe përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet qe po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes kudo në botë është evidente. Paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë por është edhe një punë që realizohet nga brenda”, ka thënë Kurti.
Në kuadër të konferencës së Federatës së Paqes Universale, u diskutua edhe për “Tranzicionin demografik në Ballkanin Perëndimor, ikjen e trurit dhe për çështjet e familjes”.