Arbëri

Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-deputeti, Nezir Çoçaj, nis dëshminë në Speciale

Nezir Çoçaj

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nezir Çoçaj, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Çoçaj, njëherësh edhe ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka nisur dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët. 

Prokurorja Vega Iodice, tek e lexoi përmbledhjen lidhur me dëshminë e Çoçajt në prokurori, tha se krahas të qenit pjesëtar i UÇK-së, ai ka pasur kontakt me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës. 

“Dëshmitari me numër 04679 është shqiptar i Kosovës i cili u kyç në UÇK në periudhën mars-prill 1998. Gjatë periudhës sa ishte në UÇK ai ndihmoi për organizimin e UÇK-së në territorin e tij dhe më vonë u kyç në Zonën Operative të Pashtrikut. Dëshmitari 04679 jep dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimin e UÇK-së, përfshirë Zonën Operative të Pashtrikut, komunikimet që i ka pasur me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe atë se çfarë ka parë ai me sytë e tij dhe çfarë ka vërejtur në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren në qershor të 1999-ës”, tha prokurorja Iodice.

Çoçaj është ftuar nga Specialja në janar të 2021-tës. 

Çoçaj në Speciale pyetet për SHIK-un dhe videot në Prizren

5 muaj më parë / 18 nën 2024 11:40 Nga: Ardit Kika
Nezir Çoçaj

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e pyeti dëshmitarin Nezir Çoçaj, i cili të hënën e ka nisur dëshminë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, se a e ka takuar Ferat Shalën. 

Dëshmitari e konfirmoi se e ka takuar atë në vitin 2001 dhe i ka thënë se janë në kërkim të njerëzve për ta themeluar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK). Kur prokuroria e pyeti dëshmitarin se kush i ka kërkuar të përfshihej në SHIK, ai u përgjigj “z.Ferhat Shala”. Ai u përgjigj se nuk e di se pse Shala ia kërkoi të përfshihej. Tha se Shala ka shkuar për të folur me të.

“Ka ardhur të bisedojë me mua: ‘jemi të interesuar ta themelojmë ose do ta themelojmë organizatën SHIK dhe jemi të interesuar për të gjetur njerëz’”, tha Çoçaj. 
E kur u pyet se kush ia dha Shalës këtë detyrë, ai tha se mendon se ia dha drejtori i SHIK-ut, që është i akuzuar në këtë rast.

“Po mendoj që ka qenë nga drejtori, kam përgjegjësi të bisedoj me ju, të përzgjedhim njerëz, të bisedoj me ju...Me siguri në atë kohë ka qenë (drejtor) z. Kadri Veseli”, tha dëshmitari. Ai tha se Ferat Shala ka qenë në UÇK, me sa e di ai, në zonën e Drenicës. Bisedën mbi SHIK-un tha se e bëri me Ferat Shalën më 2001. Çoçaj u shpreh se nuk e di se kur ka marrë ai urdhër për ta themeluar SHIK-un si strukturë.  

Dëshmitari i 104-t i propozuar nga ZPS-ja u pyet edhe për një person, që tha se nuk ia di emrin, por e di që ishte pjesë e Policisë Ushtarake. ZPS pretendon se në kuadër të Shtabit të përgjithshëm, Rexhep Selimi e udhëhoqi Policinë Ushtarake.

Trupi gjykues ka konstatuar vazhdimisht se ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, si person që ka mbajtur pozita të larta, përfshirë atë të ish-drejtorit të SHIK-ut, ka kapacitet të ndikojë mbi dëshmitarët e Dhomave të Specializuara.

“19. Trupi gjykues e ka përcaktuar dhe tashmë mban qëndrim që: 1) Z. Veseli e ka aftësinë tu japë udhëzime individëve që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara, dhe duke e bërë këtë, ai ka ndërhyrë direkt në një çështje që ndërlidhet me Dhomat e Specializuara; 2) Z. Veseli vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në Kosovë duke u bazuar në pozitat që ka mbajtur, të ketë qasje në informata dhe të marrë mbështetjen e të tjerëve; 3) përderisa z. Veseli ishte udhëheqësi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), pjesëtarët e SHIK-ut u përfshinë në ndërhyrje te dëshmitarët; dhe 4) ecja përpara e gjykimit ia mundëson z. Veselit të kuptuarit mbi provat dhe akuzat e rënda që rëndojnë mbi të”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Veselin të datës 14 tetor 2024.