Arbëri

Ish-kryeshefi i KQZ-së: Presidentja duhet të marrë përgjegjësi për problemet në procesin zgjedhor

Enis Halimi

Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka pasur informata se kryesuesi i tanishëm i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, “ka qenë i painteresuar për procesin zgjedhor”.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Halimi ka thënë se Osmani ka pasur informacione për qasjen “joserioze” të kreut të KQZ-së, por nuk ka ndërmarrë asnjë masë. 

“Ky është rezultat i parregullsive të shumta, i degradimeve të shumë proceseve teknike në Sekretariatin e KQZ-së që janë evidentuar edhe më herët me raporte të ndryshme. Në periudhën 2013-2020 në secilin raport vendor dhe ndërkombëtar administrimi i procesit zgjedhor ka shënuar ngritje, tani kemi një tjetër raport që do të raportohet si mos më keq në raportet qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare... Nga Presidentja e poshtë, kemi parë degradimin e mbledhjeve në KQZ, ka pasur indicie që Presidentja ka pasur informata për qasjen joserioze të vetë kreut të KQZ-së dhe nuk çan kokën për procesin zgjedhor. Ai nuk ka adresuar me kohë proceset teknike sepse ka pasur ndryshime në rregullativën zgjedhore dhe nuk e ka shoqëruar ai dhe gjithë KQZ-ja, për çka presidentja e ka përgjegjësinë e tyre”, ka thënë ai. 

Halimi ka shtuar se përgjegjësia e Osmanit është të shkarkojë anëtarët, por nuk po e bën edhe pse në KQZ, sipas tij, bëhet cirqe gjatë mbledhjeve. 

“Në mbledhjet e KQZ-së bëhen cirqe, përleshje të hatashme për asgjë. Presidentja mund të shkarkojë anëtarët. Asnjë proces operacional zgjedhor nuk është kryer në kohën e duhur, kanë munguar materialet zgjedhore, ato të trajnimit, nuk janë mbajtur trajnimet me kohë, gjithçka ka qenë eksperiment dhe improvizim”, ka thënë ai. 

I pyetur se kur mund të konstituohet Kuvendi, ai ka thënë se pret që kjo të ndodhë në fillim të prillit. 

“Mendoj se në fillim të prillit do të konstituohet, do të thirret mbledhja konstituive e Kuvendit, me gjithë kontestimin, rinumërimet eventuale, ankesat, e të gjitha këto të përfundojnë deri nga gjysma e marsit dhe po besoj se nga pjesa e parë e prillit të thirret seanca për konstituim të Kuvendit dhe të procesohet tutje”, ka theksuar ai.