Arbëri

Ish-kryeshefi i KEK-ut deklarohet i pafajshëm për akuzën për keqpërdorim detyre

Nagip Krasniqi

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, të martën është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Krasniqi pasi nga trupi gjykues është pyetur për akuzat me të cilat e ngarkon prokuroria.

Në seancën e mbajtur të martën, prokurori special Dren Paca ka theksuar se i pandehuri nga 15 tetori 2021 deri më 19 prill 2022 i ka mundësuar tregtimin e energjisë kompanisë së palicencuar "Holding Slovenske Elektrane" në përputhje me Ligjin për energjinë dhe atë për Zyrën e Rregullatorit të e Energjisë. 

Ai ka thënë se operatori ekonomik sipas aktakuzës i ka fituar mbi gjysmë milioni euro, derisa dëmi që i është bërë ndërmarrjes publike KEK, sipas Prokurorisë Speciale është 3.2 milionë euro.

Avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, ka theksuar se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar njoftimin për fillimin e hetimeve. 

“Nuk i ka dorëzuar kontratat në gjuhën shqipe. Ato janë prova bazë mbi të cilën bazohet prokurori...i pandehuri dhe mbrojtja dhe mbrojtja kanë të drejtë t'i kenë këto prova në gjuhën që ata e kuptojnë ... mbrojtja nuk dëshiron ta zvarrisë këtë procedurë dhe është e gatshme të vazhdojë sot me këtë procedurë”, ka deklaruar Ibrahimaga. 

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me këtë kompani sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni që tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Për pasojë, Prokuroria ka pretenduar se buxheti i Kosovës është dëmtuar në vlerë prej 532 mijë eurosh.