Arbëri

Ish-kryeshefi i akuzuar i KEK-ut: Ka gjueti shtrigash ndaj meje

Nagip KRasniqi

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që është i akuzuar nga Prokuroria Speciale, ka thënë se ndaj tij ka “gjueti shtrigash”. Krasniqi ishte arrestuar vitin e shkuar nën dyshimet për keqpërdorim detyre. Ai kishte qëndruar në paraburgim për pesë muaj. 

Në “Interaktiv” të KTV-së, Krasniqi të enjten ka mohuar akuzat e ka thënë se “askush deri tash s’ka mbërritur t’i japë argumente pse është arrestuar”.

Sipas Krasniqit, në rastin ndaj tij ka ndërlidhje të shumë interesave, politike e kompanish.

Për import të rrymës nga një kompani sllovene që s’kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit për brenda territorit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se kjo lejohet me nenin 32 të Ligjit për energjinë. Sipas tij, dënimi që ZRRE-ja ia ka bërë KEK-ut (3 milionë euro) me këtë rast nuk ka qenë i drejtë. Ai ka thënë se po që se kompania sllovene s’do të fitonte marrëveshjen, atëherë KEK-u do të merrte energji për rreth gjysmë milioni euro më shumë në muaj. Krasniqi ka deklaruar se ka dorëzuar parashtresë te prokurori për çështjen e kompanisë sllovene. Ka thënë se për këtë rast edhe KEK-u e ka paditur ZRRE-në.

Krasniqi është shprehur se pret që të rrëzohet pretendimi i Prokurorisë “nëse nisemi nga parimi që gjykata do të jetë objektive”. Ka thënë se nuk ka shumë besim në gjykatat, duke u bazuar në trajtimin për periudhën sa ka qenë në paraburgim.

Për akuzën ndaj tij, dhe deklarimet e opozitës kundër pushtetit, Krasniqi ka thënë se “më e lehta është të shpërndahen etiketa e tituj bombastik”. Megjithatë ka përsëritur se s’ka parë “fakte e prova nga askush”.

Ka mohuar çdo pretendim për lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, që nga opozita janë cilësuar si “miq të kryeministrit Kurti” dhe si të dyshuar “kryesorë për një skandal korruptues me tregtim të energjisë”. Krasniqi ka thënë se Berishajn e ka takuar vetëm një herë në Prishtinë dhe se nuk ka qëndruar me të. Ka thënë se ka biseduar vetëm një herë në telefon me të. “Kam qenë në udhëtim zyrtar në Zagreb dhe nuk e kam takuar. Pasi jam kthyer ai më ka thirrur e më ka thënë pse nuk më ke ftuar sepse është detyrë e ambasadorit t’u ndihmojë kompanive të shtetit. Është normale që ai të fasilitojë takimet e kompanive, por s’e kam bërë sepse s’e kam ditur që është në Zagreb por në Lubjanë”, ka thënë ai. Krasniqi ka mohuar raportimet se ka penguar bastisjen në banesë e në zyrë.

Ai tutje ka treguar edhe për “lidhjen” e tij kryeministrin Albin Kurti.

“Unë e kam udhëhequr komitetin për energjinë në Vetëvendosje për disa vjet. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar. Komiteti në VV-së nuk operon në sistemin e anëtarësisë, por të ekspertëve”, ka deklaruar Krasniqi. 

Sipas tij, askush s’e ka faktuar që ai ka kryer “veprim kundërligjor me qëllim që t’i shkaktojë dëm dikujt ose me qëllim të përfitim personal apo dikë tjetër”. “Kam llogari bankare ku çdo kush nga hetuesia ka qasje. Kam deklarimin e pasurisë të bërë. Nëse pitja hahet tepsia ngel. Asnjë provë nuk ka mbërritur askush ta prezantojë se cili ka qenë dëmi që ia kam shkaktuar dikujt apo përfitimi që kam marrë unë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se arrestimi i tij më shumë ka ngjarë si kidnapim. 

“E kam pritur që do të ketë akuza, deklarata publike, ajo që nuk e kam pritur ka qenë arrestimi. Ai arrestim më ka ngjarë si kidnapim. Kolegia juaj, Saranda Ramaj, e ka marrë informatën që do të vijnë të më arrestojnë mua dhe gazetarët kanë qenë aty para se të vijë policia. A është logjike që prokuroria dhe policia t’i informojë mediat për një veprim që ka të bëjë me zbatim të ligjit. Aktakuza i është dhënë mediave, e jo avokatit tim apo mua. Ne e kemi marrë më vonë, një ditë më herët i është dhënë mediave”, ka thënë ai. 

Teksa ka mohuar akuzat, Krasniqi ka thënë se nuk ka fakte për të treguar interesat e kompanive të tjera, por ka pretenduar se “në KEK ka pasur përfitime milionëshe nga kompani të ndryshme private që në një mënyrë ishte zhvatje e kompanisë publike”.

“Prej që kam shkuar aty jam munduar që ato zhvatje të ndalen. Tenderë të shtrenjtë që përfundonin në xhepa të kompanive të caktuara që mund të jenë të lidhura me parti të ndryshme politike. Aty janë cenuar një numër i madh interesash”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se në KEK ka gjetur edhe kontrata me mediat të cilat ka thënë se është munduar t’ua kuptojë qëllimin e reklamimit dhe se për këtë çështje ka kërkuar edhe auditim.

Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Në shtator, ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

Krasniqi ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor të vitit 2021.