Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka nisur dëshminë në rastin më të madh të Gjykatës Speciales, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu; Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Komandant Hoxha s’përfill urdhrat e gjykatës për t’iu përgjigjur pyetjeve të ZPS-së

1 muaj më parë / 24 shk 2025 19:16 Nga: Ardit Kika
Ismet Tara

Ismet Tara, i njohur gjatë luftës si Komandant Hoxha, ka refuzuar t’u përgjigjet  pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare në Rahovec kërkoi pa reshtur që t’i vendosej në ekran një dokument që ZPS-ja tha se ia tregoi në vitin 2019, për të cilin theksoi se e ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes së tij.

Ky dokument Tara tha se ia ka njollosur figurën e tij.

“Mund të kërkoni ju çdo gjë, por unë prej këtij momenti në qoftë se ai dokument që ka ngritur shqetësimin tim, që ka rrezikuar jetën time dhe të 10 familjarëve të mi dhe që mua në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit tim, tradhtar i UÇK, tradhtar i dëshmorëve dhe heronjve të mi dhe të gjithë asaj popullate të masakruar e të larguar nga Kosova unë nuk do të japë asnjë njohuri pa u shqyrtuar ky dokument dhe pa u pastruar komandant Hoxha. Ta dini tani që prej këtij momenti nuk flas më asgjë”, tha Tara.

Dëshmitari pretendoi se ka manipulime në deklaratat e tij, duke i përfshirë edhe ato që i ka marrë ZPS-ja.

“Unë jam në gjendje të përgjigjem çdo pyetjeve të juaj, por pas shfaqjes së këtij dokumenti, pas diskutimit të këtij dokumenti se çfarë kanë bërë ata ish-hetues të mi që unë për vete e quaj nëse ato janë shënimet e tija kriminelë, kriminelë hetues të cilët më kanë rrezikuar mua, 10 anëtarë të familjes time dhe më kanë shpallur tradhtar të kombit tim, me një dokument që unë kurrë nuk e kam lexuar, kurrë nuk e kam nënshkruar dhe kurrë nuk më është paraqitur mua”, tha Tara.

Prokurorja Vega Iodice ia shfaqi dëshmitarit disa dokumente, por Tara tha se nuk është dokumenti që ai po e kërkon.

Ajo ia dha një dokument të 2019-s fizikisht para vetes, por dëshmitari tha përsëri se nuk është ai që po e kërkonte, derisa në një rast hodhi dyshime se dokumenti është zhdukur.

Prokuroria Iodice e ballafaqoi dëshmitarin me një dokument të UNMIK-ut, por ai nuk e konfirmoi vërtetësinë e saj.

Në të thuhej se Tara ka deklaruar se bashkëpunëtorët e Serbisë, pavarësisht kombësisë duhet të vriteshin, se kohë pas kohe duhet të digjeshin, përndryshe trupat e atyre që i mbante UÇK-ja do të shërbenin si prova kundër saj.

Ai u pyet edhe lidhur me një dokument që ZPS-ja pretendonte se ai ka deklaruar se ia dërgoi një letër Likocit. Por dëshmitari tha se nuk e di se ku është dërguar ose nëse është dërguar në Likoc.

Prokurorja Vega Iodice tha se do ta propozojë pranimin me shkrim të pjesëve të deklaratave paraprake të dëshmitarit, ku flitet për një takim të tij me Hashim Thaçin dhe Driton Lajçin më 2019.

Dëshmitarit Ismet Tara të martën do t’i parashtrojë pyetje mbrojtja, kësaj radhe në prani të avokatit që e kërkoi vetë në fund të seancës. 
 

Tara thotë se nuk do të përgjigjet në pyetjet e ZPS-së, kërkon t’i tregohet dëshmia e vitit 2019

1 muaj më parë / 24 shk 2025 11:44 Nga: Ardit Kika
Ismet Tara

Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, gjatë dëshmisë së tij i ka thënë Gjykatës Speciale se nuk do të flasë asgjë nëse nuk i lejohet ta shpalosë pretendimin e tij për manipulim me deklaratën e tij nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. 

Ai ka kërkuar që t’i jepet një deklaratë e vitit 2019, të një interviste 32 orshe, që ka thënë se kurrë nuk i është treguar, që nuk e ka nënshkruar, që e ka paraqitur atë si tradhtar dhe e ka rrezikuar atë dhe 10 anëtarë të familjes së tij. 

Ai tha po ashtu ka theksuar se dokumenti e ka njollosur UÇK-në.

"Nuk i besoj gjykatës fare nëse ai dokument nuk më paraqitet", ka deklaruar Tara.

Paraprakisht ai u përgjigj se pas luftës, më 17 korrik 1999, e ka parë Hashim Thaçin dhe se ai i ka thënë se e ka parë gjatë luftës në Drenicë.

“Pasqyrim i saktë i imi, por pyetja juaj nuk është e drejtë, për atë mund ta pyetni Hashim Thaçin në qoftë se më ka takuar ose jo. Gjatë njoftimit tim pas luftës më ka thënë që unë ju kam parë juve, ju kam parë juve, por nuk ma ka treguar identitetin e tij”, ka theksuar dëshmitari.