Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, ka thënë se vizitat e zyrtarëve qeveritarë në veri nuk i kontribuojnë stabilizimit, duke konsideruar se siguria në atë pjesë vazhdon të jetë e brishtë.
Kryeparlamentari Galuk Konjufca, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të premten morën pjesën në kërcimet profesionale që u mbajtën në Liqenin e Ujmanit për nder të policëve të rënë në krye të detyrës. Ditë më parë, në Ujman pati shpërthim. Ndërsa sot në Zveçan u dogjën dy vetura të Komunës.
Sipas ish-kolonelit, pa u zbuluar këto incidente mund të rrezikohen edhe figurat politike që shkojnë atje.
“Nëse nuk goditen këto grupe që po shkaktojnë këto incidente, mund të rrezikohen edhe ata [zyrtarët qeveritarë]. Nuk është kontribut në stabilizimin e gjendjes kur shkojnë të defilohen, të jenë prezentë atje, edhe pse ajo mund të ndodhë që përdoret për çështje politike, elektorale e të tjera. Kjo situatë, me masa të shtuara të Policisë, nuk mund të mbahet gjithmonë. Pra pa pasur zgjidhje politike. De facto atje po mbahet rendi me masa represive”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Incidentet e fundit në veri, sipas Sylejmanit, tregojnë se grupet kriminale kanë marrë udhëzime nga Serbia që mos ta lënë rehat Policinë e Kosovës.
“Grupet kriminale po tentojnë me tregu se në veri nuk ka siguri”, ka shtuar ai.
Sylejmani ka deklaruar se siguria në veri nuk mund të mbahet pa u gjetur përgjegjësit e këtyre incidenteve.
“Grupet kriminale që janë brenda kanë kaluar në fazë tjetër të veprimit. Janë shpeshtuar incidentet. Ata ndryshojnë mënyrat e të vepruarit varësisht rrethanave”, ka thënë ai.