Arbëri

Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Ka qenë e qartë se Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike

Hansjeorg Strohmeyer

Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Siç e kemi kuptuar, Shërbimi Informativ s’ishte në përputhje me Rezolutën 1244

(Përditësuar, ora 11:40) - Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer deklaroi të mërkurën në Hagë se nga ajo siç e kishin kuptuar Rezolutën 1244, një shërbim tjetër apo edhe organizatat që funksiononin si gjysmë-shtetërore, nuk kanë qenë në përputhje me Rezolutën. Kjo tha se vlente edhe për Shërbimin Informativ.

Këtë deklarim, Strohmeyer e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Guénawl Mettraux , i cili i tha se sipas Rezolutës 1244, a ishte Kosova e autorizuar që të kishte ndonjë shërbim informativ, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas nesh, nuk duhej të kishte asnjë organizatë tjetër që të funksiononte funksione kuazi apo gjysmë shtetërore qoftë kjo UÇK-ja apo ndonjë grupim tjetër. Për ne, nuk mund të kishte ndonjë organizatë tjetër që mund të ushtronte funksione si ndalime, arrestime, gjykime, procese gjyqësore apo nuk mund të ushtronin funksione të një ministrie që përbëjnë një shtet apo Qeveri në kushte normale. Pra, sipas nesh, kjo vlente edhe për një Shërbim Informativ. Për ne kjo ka qenë e qartë dhe ishte qëndrimi ynë”, tha ai.

Në kohën kur ishte larguar nga Kosova në gusht të 1999-ës, dëshmitari tha se i kujtohet që procesi i demilitarizimit të UÇK-së ishte në vazhdimësi e sipër.

Pyetjet plotësuese për dëshmitarin i filloi avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se çfarë uniforma kanë veshur anëtarët e Forcës së Armatosur të Kosovës (FARK) dhe se nuk do mund t’i dallonte nëse ata kanë veshur uniforma të tyre apo të UÇK-së.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet plotësuese të përfaqësuesit të Veselit, avokatit Rodney Dixon, dëshmitari tha se roli i tyre ishte tranzitor dhe iu ishte bërë e qartë që aty ishin për të bërë kornizën institucionale së bashku me organizatat ndërkombëtare.

Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Ka qenë e qartë se Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike

(Përditësuar, ora 10:55) - Ish-këshilltari i UNMIK-ut në Kosovë, Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se për atë ka qenë gjithmonë e qartë se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

“Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, sipas gjyqtarit Guénaël Metraux, gjenerali i UNMIK-ut, Mike Jackson kishte thënë se sipas asaj që ai kishte kuptuar, roli dhe pushteti i Thaçit ishte i krahasueshëm me atë të kryekomandantit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari tha se Jackson e kishte përshkruar Agim Çekun si ushtarakun më të lartë në UÇK në atë kohë dhe si vartës i Thaçit.

“Besoj që e kam deklaruar më parë dhe e pash në dokumente që zoti Thaçi kishte nënshkruar angazhimin si kryekomandant. Pra, nga ndërveprimet tona nga ana civile me të, ne nuk e kemi konsideruar zoti Thaçin si kryekomandant-kryekomandant ushtarak. Zoti Jackson kishte një bisedë tjetër dhe një realitet tjetër që ishte në një mjedis ushtarak dhe mund të jetë ky aspekti që Thaçi paraqitej në këtë mënyrë para Jackson. Për neve ishte gjithmonë e qartë. Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti. Zoti Thaçi ishte personi tek i cili duhej të adresoheshim dhe drejtoheshim”, tha Strohmeyer.

Në anën tjetër, për Agim Çekun, dëshmitari shtoi se nga pikëpamja funksionale ai ishte ushtaraku më i lartë me të cilin kishin kontaktuar për aspekte teknike.

“Sa i takon zotit Çeku, ishte e qartë që nga pikëpamja funksionale ashtu siç u përshkrua, ishte ushtaraku më i lartë, ishte personi me të cilin kontaktonim sa i takon aspekteve teknike. Do të thotë, ai ishte personi me të cilin komunikonte gjenerali Jackson”, tha ai.

Ndërsa, në një takim që pretendohet se është bërë në korrik të 1999-ës lidhur me forcën policore, Strohmeyer tha që Thaçi iu kishte thënë që Agim Çeku ishte personi tek i cili duhej të drejtoheshin.

“Ajo që kuptova pra që ‘lidhur me këto çështje merruni me këtë person’, që përforconte perceptimin që ky ishte udhëheqësi në këto rrethana… dhe pastaj ishte ai personi që merrej me këto çështjet teknike apo me çështjet më të specializuara të kësaj çështje”, tha dëshmitari.

Strohmeyer theksoi se nuk e di se kush e emëroi Agim Çekun si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për atë kohë. Po ashtu, tha se nuk ka qenë në dijeni që ka pasur shenja rebelimi brenda udhëheqjes së UÇK-së gjatë periudhës së Rambujesë.

Strohmeyer thotë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës s’kishte ekzistencë ligjore

Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.

Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari gjithashtu theksoi se ata nuk i kanë konsideruar fare dekretet apo vendimet e marra nga kjo Qeveri. Pra, sipas tij, ato nuk kishin vlerë nga pikëpamja ligjore. Madje, pohoi se kjo vlente edhe për emërimet e bëra nga kjo Qeveri.

Strohmeyer tha se është e saktë të thuhet që ata nuk iu kanë drejtuar Thaçit dhe Agim Çekut në bazë të pozitës që kanë mundur ta mbajnë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës

Në seancën e së mërkurës, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi