Arbëri

IRDK: Fitores po i prijnë gratë dhe vajzat tona

Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi, të hënën ka publikuar një tabelë ku krahasohen arritjet e IRDK-së në pushtet, me ato të subjektit rival, Partia Liberale Egjiptiane.

Sipas tabelës së publikuar nga Krasniqi, gjatë mandatit sa ka qenë ai ministër, u ndanë fonde për kuzhina popullore, shtesa për fëmijë, u ndërtuan shtëpi dhe pati investime në infrastrukturë në të gjitha komunat ku banojnë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian. 

E gjatë së dielës kandidatët për deputet nga radhët e IRDK-së mbajtën tubime e organizuan diskutime me banorë në disa komuna të Kosovës. 

Takimet nisën në Pejë dhe në fshatin Gorazhdec, nga aty u paralajmërua fitore historike. 
E në tubimin në Shtime, IRDK-së iu bashkua edhe kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Kandidatja jonë nga lista e fitores, Arjeta Maliqi, është dëshmi se fitores së IRDK-së po i prijnë gratë dhe vajzat tona!”, shkroi Krasniqi në Facebook në postimin e tubimit në Shtime. 

Një numër më i madh simpatizantësh IRDK-së iu bashkua në Fushë-Kosovë. 

Aty iu bë thirrje të pranishmëve të votojnë numrin 111.

E ditën e diel IRDK-ja e përmbylli takimin me qytetarë të lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë.