Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një koloneli policor dhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj një majori, nën dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike.
IPK-ja ka thënë se ka iniciuar rast pas raportimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike.
“IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike kurse rastin e majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës. Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore”, thuhet nga IPK-ja.
IPK-ja ka thënë se çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund ta dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion.
“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim, dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik. IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbështetjen e një Policie ku puna edhe angazhimi i saj bazohet nga vlerat e integritetit, neutralitetit dhe shërbimit të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve”, ka njoftuar IPK-ja.
Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshohet se morën pjesë në tubim politik
Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar tre zyrtarë policorë, një kolonel, një major e një rreshter policor pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në tubim apo aktivitet të natyrës politike.
Policia njoftoi të mërkurën se rekomandimi është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke shtuar se zyrtarët kanë rënë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe me udhëzimet e brendshme të këtij institucioni.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.
Policia tutje tha se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe të autorizimeve ligjore e kushtetuese.
“Me qëllim të ruajtjes së besimit të publikut, ruajtjes së imazhit të Policisë si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe profesionalizmit të saj, duke shërbyer në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.