Kryeministri Kurti më 2021 pati premtuar që do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës, por një premtim i tillë nuk është realizuar. E në Asociacionin e Komunave të Kosovës, thonë se centralizimi i inspektorëve ndikoi në uljen e kontrolleve
Për të monitoruar shkeljet nëpër vendet e punës, kryeministri Albin Kurti pati premtuar pesëfishim të inspektorëve, po ky premtim tash e katër vjet nuk është realizuar.
Mirëpo, sipas Inspektoratit Qendror të Punës, numri i inspektorëve është dyfishuar.
Aktualisht janë 62 inspektorë të cilët veprojnë në shtatë divizione të ndryshme të Inspektimeve në gjithë territorin e Kosovës, nga 31 sa ishin në vitin 2021.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se është e pamundur që me këtë numër të inspektorëve të ndikohet që të ketë më shumë respektim të të drejtave të punëtorëve.
“Ne jemi në handikap me numrin e inspektimeve të punës, sepse ne si sindikatë nuk shohim ndonjë përmirësim të gjendjes dhe të kushteve të punëtorëve të sektorit privat. Pavarësisht që numri i inspektorëve është 62, disa prej tyre janë të rinj dhe nuk janë gati ta kryejnë punën ashtu siç duhet dhe mungesa e inspektorëve ndikon në mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve”, ka thënë ai.
Përveç Inspektoratit të Punës, edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mungesë të inspektorëve të brendshëm veterinarë dhe fito-sanitarë.
Në këtë institucion thonë, se mungesa e inspektorëve bën që inspektimet të bëhen bazuar në rrezik.
“Sa u përket inspektorëve të brendshëm veterinarë dhe fito-sanitarë, të cilët janë të ndarë sipas regjioneve dhe kanë për detyrë inspektimin e produkteve me origjinë bimore, shtazore, gjendjes shëndetësore të kafshëve, bimëve, etj. Numri i inspektorëve është shumë i vogël dhe për këtë arsye edhe në planet vjetore të kontrolleve zyrtare janë përcaktuar një numër i kontrolleve sipas subjekteve, duke u bazuar në udhëzues për inspektimin e bazuar ne rrezik”, thuhet në përgjigjen e AUV-it
Përveç numrit të ulët të inspektorëve, komunat kanë shprehur kritika edhe për centralizimin e inspektorëve.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thekson se centralizimi i inspektorëve ndikon në uljen e kontrolleve.
“Komunat kanë shprehur kritika për mungesë të inspektorëve dhe në mungesë të inspektorëve lokalë, nuk kanë mundur të inspektohen të gjitha lokalet. Edhe Inspektorati fito-sanitar është centralizuar dhe tash është përgjegjësi e AUV-it, që të merret me inspektime të tilla. Edhe në atë kohë kur është bërë një centralizim, pra inspektorët lokalë të kthehen në inspektorë qendrorë. Komunat kanë kërkuar që inspektorët të mbesin në nivel lokal, që të mbesin më afër qytetarit dhe t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre sa më shpejt”, ka thënë ai.
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të zyrave regjionale janë 28 inspektorë veterinarë dhe 19 inspektorë fito-sanitarë.
Në shkurt të vitit 2021, Kurti pati thënë se numri i inspektorëve në sektorët deficitarë do të shtohet edhe me njerëz nga administrata publike dhe shërbyesit civilë.