Arbëri

Intervistohet deputeti i Listës Serbe për sulmet ndaj gazetarëve më 2023

Sllavko Simiq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se e ka intervistuar në cilësi të të pandehurit deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, nën dyshimin për organizim të sulmit ndaj gazetarëve më 16 qershor 2023 në Leposaviq.

Sipas njoftimit, ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për sulmet që ishin bërë gjatë vizitës së ish-ministrit Elbert Krasniqi në Leposaviq.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se i është marrë deklarata në cilësinë e të pandehurit personit me iniciale S.S., deputet i posa zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri S.S., dyshohet se me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët, dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Në atë kohë, gazetarët ishin pre e sulmeve me shok-bomba, goditjeve me gurë e sulme fizike. Bëhet fjalë kur në veri protestohej nga grupe serbësh kundër kryetarëve të rinj shqiptarë.

Sllavko Simiq u zgjodh sërish deputet në radhët e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai mori mbi 12 mijë vota.