Arbëri

Interesim i ulët për vaksinim kundër COVID-19

E qetë e me pak lëvizje, ishte mesditën e së enjtes, qendra e vaksinimit në Prishtinë.

Me relaksimin e masave antiCOVID, ka rënë edhe interesimi i qytetarëve të cilët po imunizohen, me vaksinat kundër koronavirusit.

Punonjësit në këtë qendër, prapa kamerës, thanë se gjatë një ndërrimi, rreth 10 persona vaksinohen dhe se javët e fundit interesimi ka rënë.

Në këtë muaj në Kosovë janë bërë 1 vit, prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19, teksa deri më tash mbi 1 milion e 800 mijë doza janë administruar.

“Duke qenë se kemi një situatë epidemiologjike të qetë, është evident fakti që edhe interesimi ka filluar të bjerë, dhe ne brenda ditës kemi rreth 300 doza që administrohen në nivel vendi, që është numër më i vogël sesa ta zëmë në muajt paraprakë”, ka deklaruar Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Qytetarët tashmë pothuajse nuk kanë asnjë kufizim, teksa situata sipas Hotit, mund të përkeqësohet si shkak i përhapjes së nënvarianteve të Omicronit.

“Ne kemi parë ditëve të fundit që nënvariantet e Omicronit po përhapen në shtete të ndryshme, qoftë në Azi, në shtete të Evropës dhe në SHBA, dhe nuk ka një siguri që një shpërndarje apo transmetueshmëri e tillë e këtij nënvarianti të mos vijë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Përkundër numrit të ulët të të infektuarve ditëve të fundit, vdekjet nga COVID-19, nuk janë ndalur në vend. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 2 persona kanë humbur jetën, e janë regjistruar 32 raste të reja.