Janë intensifikuar bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës për Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut. Në zyrat e koalicionit VLEN të partive shqiptare, të shtunën është mbajtur takimi me fituesit e zgjedhjeve VMRO-DPMNE.
Siç bëhet e ditur në një njoftim për media nga VLEN-i, në takim është diskutuar për parimet e qeverisjes së ardhshme. Palët janë dakorduar që nga e hëna bisedimet të vazhdojnë në nivel grupesh punuese.
“Në emër të koalicionit VLEN të pranishëm ishin liderët e partive të koalicionit, gjegjësisht Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, nërsa nga radhët e VMRO-DPMNE-së, të pranishëm ishin kryetari Hristijan Mickoski, nënkryetarët Aleksandar Nikoloski, Vlado Misajlovski, Timço Mutsunski dhe Gordana Koçoska Dimitrieska, si dhe shefi i kabinetit të kryetarit të VMRO DPMNE Vladimir Neloski për të diskutuar rreth qeverisjes së ardhshme, e cila do të bazohet në tre parime: rruga euro-integruese, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik si dhe lufta e pakompromistë kundër krimit dhe korrupsionit si dhe sundimi i ligjit”, bëhet e ditur në komunikatë.
VMRO-DPMNE dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, kanë marrë vota të mjaftueshme për të udhëhequr Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave preliminare nga zgjedhjet e 8 majit, VMRO-DPMNE-ja ka fituar 58 ulëse nga Kuvendi me 120 ulëse. Koalicioni i opozitës shqiptare VLEN ka marrë 13 ulëse. Bashkë me Të Majtën (6 ulëse) dhe Lëvizjen ZNAM (6 ulëse) shumica do të përbëhet nga 83 deputetë apo mbi 2/3 e deputetëve.
Lidhja Socialdemokrate që udhëhoqi vendin qe 7 vjet ka pranuar humbjen. Në zgjedhje mori 18 ulëse.
Koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti ka siguruar 19 ulëse.