Arbëri

Instituti i Psikiatrisë Forenzike me kapacitete minimale e fluks kërkesash

Për gati 3 vjet, në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, nuk ka asnjë shtrat të lirë. Aty trajtohen personat që janë me urdhër të gjykatave e të cilët kanë kryer vepra penale. Drejtuesit e këtij institucioni thonë se janë rritur kërkesat edhe për ekzaminime psikiatrike.

Të shumta janë kërkesat që i drejtohen stafit nga pacientë të Institutit të mbingarkuar të Psikiatrisë Forenzike.

Derisa nën rrezet e diellit të fundgushtit, në oborrin e rrethuar me hekura të këtij instituti, shumë pacientë kishin dalë jashtë për të lexuar, biseduar apo pirë duhan, njëri ishte i prerë në atë që po kërkonte.

“Dua të shkoj në shtëpi”, ngulmonte ky pacient, i dënuar për vrasje.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike, që gjendet në hapësirat e QKUK-së, për shumicën e këtyre pacientëve, të cilët edhe janë kryerës të veprave penale, tash e disa vite është kthyer në strehë.

Por, kapacitet e vogla që ka ky Institut, kanë bërë që asnjë shtrat të mos jetë i lirë.

Shpend Haxhibeqiri, drejtor në këtë IPF, thotë se që nga 2019-a, nuk e kanë asnjë vend të lirë, e kërkesat vazhdimisht janë shtuar.

“Prej vitit 2019, ne në asnjë moment nuk kemi qenë me vende të lira, vendet kanë qenë gjithmonë të stërmbushura, dhe kemi krijuar listën e pritjes, për trajtim të detyrueshëm me ndalim, po ashtu edhe për kryerjen e ekspertizave psikiatrike”, ka thënë ai, duke shtuar njëkohësisht se kërkesat e tyre drejtuar institucioneve përgjegjëse kanë qenë të vazhdueshme.

Ai tregon se mungon koordinimi me spitalet rajonale.

“Edhe me ngritjen e kapaciteteve, këtu duhet të ngrihet vetëdija e popullit, vetëdija e njerëzve që punojnë me shëndetin mendor, pra profesionistët e shëndetit mendor, pra mendoj që duhet të shkarkohet Instituti i Psikiatrisë Forenzike, dhe të aktivizohen spitalet në rajon”, është shprehur ai.

Sipas Haxhibeqirit, më të vështirë punën ua bën edhe mungesa e stafit.

“Ne me staf posaçërisht infermieror jemi jashtëzakonisht keq. Kemi mungesë jashtëzakonisht të madhe, te ne qëndron 1 infermier në kujdestari me 12 pacientë, edhe kemi bërë kërkesa të vazhdueshme”, ka potencuar ai.

Në lidhje me mundësinë e rritjes së kapaciteteve në këtë institut, nuk janë përgjigjur as në Ministrinë e Drejtësisë e as në atë të Shëndetësisë.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike, që trajton persona të cilët kanë kryer vepra penale e kanë probleme mendore, ka në dispozicion vetëm 36 shtretër, prej tyre 12 vende për ekzaminim psikiatrik dhe 24 për zbatimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.