Institucionet e sektorit të drejtësisë nuk janë duke i zbatuar zotimet e tyre që ndërlidhen me fushën e sundimit të ligjit.
Draftrishikimi afatmesëm i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 shpërfaq rënie të zbatimit të kësaj strategjie në krahasim me vitin 2022.
Sipas saj, aktivitetet e pazbatuara janë dyfishuar nga 12 në 24 për qind, ndërsa aktivitetet e zbatuara kanë shënuar rënie nga 43 në 41 për qind.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se një prej shkaktarëve është edhe mosbashkëpunimi i duhur ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve siç janë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.
Fillimisht nuk ka pasur koordinim dhe bashkëpunim të bazuar në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera të pavarura për të përmbushur obligimet që dalin nga strategjia. Kjo është vërejtur edhe nga përgjigjet dhe reagimet publike të institucioneve të pavarura në raport me MD-në. Në anën tjetër, mungesa e vullnetit politik ka ndikuar edhe në vonesat dhe pengesat e proceseve reformuese të sistemit të drejtësisë dhe në miratimin e politikave që janë vetë në kundërshtim me qëllimin e strategjisë.
Hulumtuesi i lartë në IKD-së, Naim Jakaj, vlerëson se institucionet janë vonë për zbatimin e strategjisë e madje tash janë edhe pa plan veprimi për zbatimin e tij.
"Në çfarëdo interpretimi, më së largu fillimi i vitit mund të konsiderohet fundi i muajit mars të vitit përkatës. Në këtë logjikë procesi i rishikimit afatmesëm të SSL-së është dashur të përfundojë deri më 31 mars 2024. Me këtë logjikë, SSL-ja ka mbetur pa plan të veprimit dhe dështimi për ta bërë vlerësimine SSL-së dhe dështimi për ta miratuar planin e ri të veprimit e kanë paralizuar SSL-në, duke e lënë si dokument në fuqi në të cilin nuk ka se çfarë të zbatohet...", ka deklaruar Jakaj.
Ndonëse miratimi i projektligjeve të shumta ka përfunduar në Ministrinë e Drejtësisë, gjë që llogaritet si punë e kryer brenda Strategjisë, disa prej projektligjeve prioritare të Qeverisë, siç është ai për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, nuk e kaluan testin e kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese.