Arbëri

Institucionet nisin përgatitjet për t’u përballur me linë e majmunit

Asnjë rast i dyshimtë për linë e majmunit nuk është regjistruar në Kosovë deri tash, ka konfirmuar zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. Megjithatë, institucionet kanë paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për përballje të mundshme me infeksionin.

Gexha-Bunjaku dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, kanë thënë se Kosova po monitoron masat që po ndërmarrin shtetet tjera që po përballem me këtë infeksion.

“Në bazë të të dhënave, nuk ka deri më tani person të dyshuar për këtë li. MSH-ja po e monitoron situatën dhe po përgatit rekomandime. Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon e botë, rreziku që të përhapet edhe në Kosovë është eventual. Lajm të mirë përbën fakti që shpejtësia e përhapjes s'është sikur e COVID-19. Jemi duke shikuar masat që po ndërmerren nga shtetet tjera”, ka thënë Gexha-Bunjaku në një konferencë për media të mërkurën.

Gexha-Bunjaku ka shtuar se tashmë në IKSHPK kanë nisur përgatitjet për testet dhe se po punohet bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të ndahen këshillat e duhura.

Qytetarët janë këshilluar të ndjekin udhëzimet e mjekëve nëse kanë skuqje në lëkurë.

Ndërkaq, Naser Ramadani nga IKSHPK-ja ka thënë se rreziku deri tash në Kosovë është i ulët.

Ai ka thënë se IKSHPK-ja ka përpiluar dokumentin e parë dhe se ai është shpërndarë në institucione e se do të përditësohet.

Vaksina për këtë infeksion ende s’është e disponueshme.