Inspektorati në Komunën e Shtimes ka vendosur shiritat në objekntin për ceremoni fetare, i cili është ndërtuar nga banorët në fshatin Pjetershticë.
Komuna e Shtimes për më shumë se një vjet ka lejuar ndëtimin e tij në pronë publike, megjithëse pak kohë pas dhurimit vendimi është shpallur i jashtëligjshëm nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Shiritat në objekt janë vendosur vetëm një ditë pasi që KOHA ka raportuar për këtë.
Edhe pse vendimi për ndarjen e parcelës prej 500 metra katror ishte shpallur i jashtëligjshëm nga Ministria, deri në mbledhjen e 29 prillit të këtij viti, Komuna nuk e kishte sjellë dokumentin para kuvendarëve për shfuqizim.
KOHA ka raportuar se edhe pas shfuqizimit të këtij vendimi, punimet në vendin e ngjarjes kanë vazhduar pa pengesën e askujt.
Në vendimin e Ministrisë thuhet se bartja e 500 metrave katrorë të pronës publike është e kundërligjshme.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas shqyrtimit për destinimin e pronës së komunës për aktivitete të ngushëllimeve të komunitetit në fshatin Pjetërshticë, konstatoi se: Hyrja e vendimit duhet të ketë bazë të ligjit nr.04/L-174 për Planifikim Hapësinor dhe të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor. Nuk lejohet destinim apo shfrytëzim tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor”, thuhet në vendim.
Pas vendosjes së shiritave në këtë objekt, ka reaguar PDK-ja, parti opozitare në Shtime.
Në komunikatën e PDK-së thuhet se një vit më parë e kanë ngritur këtë çështje pasi që kishin informata se niveli qendror e kishte kthyer vendimin për bartje të pronës si të kundërligjshëm.
Ata kanë akuzuar pushtetin aktual, duke thënë se i kanë gënjyer banorët ë Pjetershticës për më shumë se një vit.
“Ne përkrahim kërkesën e banorëve dhe do të jemi në anën e tyre pasi që ata janë gënjyer dhe janë vu në lajthitje pothuajse një vit nga LVV-ja dhe koalicioni i tyre”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre vendimi është shfuqizuar vetëm për t’i ikur përgjegjësisë nga organet e drejtësisë.
“Mbledhjen e fundit të Kuvendit, LVV-ja, LDK, AKR kane votuar për shfuqizimin e këtij Vendimi për t’ju shmangur përgjegjësisë nga organet e drejtësisë dhe për t’i lënë në mëshirën e fatit banorët e fshatit Pjetërshticë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori i Urbanizmit në Komunën e Shtimes, Grejtalb Emini, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë së mërkurës.
Lexo edhe: