Inspektorati i Tregut ka larguar nga tregu një lloj të mbushësve të telefonave pasi nuk është përputhur me standardin e kërkuar pas testimeve që janë bërë në një laborator, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të premten.
Sipas njoftimit, inspektorët kanë marrë mostra për testim të mbushësve të telefonave të brendit “LDNIO” 45W PD/QC.
“Testimi i produktit u krye si pjesë e një projekti rajonal. Produkti elektrik në fjalë u testua në një laborator të akredituar dhe rezultoi se nuk përputhej me kërkesat e standardit EN 62368-1:2014+A11:2017, të cilat janë esenciale për përputhshmërinë me Rregulloren teknike për pajisjet elektrike të dizajnuara për përdorim brenda kufijve të caktuar të tensionit”, ka njoftuar MINT-i.
Për këtë, siç thotë njoftimi, është njoftuar edhe Dogana.
MINT-i ka lënë numrin e telefonit (0800 11000) dhe e-mailin ([email protected]) për qytetarët të cilët mund të hasin produkte të tilla në treg.