Pas ankesave e peticioneve të shumta të qytetarëve, Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit ka nisur sërish një aksion për lirimin e hapësirave publike në lagjen ‘Ortakoll’, të cilat janë shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar nga bizneset e gastronomisë. Zyrtarët përgjegjës kanë pohuar se veprimet e tilla do të realizohen në gjithë qytetin, përfshirë zonën historike.
Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të hënën, ka filluar aksionin për lirimin e hapësirave publike që janë shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar nga bizneset e gastronomisë në lagjen “Ortakoll”.
Islam Ukimeraj, drejtor i Inspektorateve ka theksuar se lirimi i hapësirave publike ka nisur në këtë lagje dhe do të shtrihet në gjithë qytetin, përfshirë dhe zonën historike.
"Javën që shkoi kanë përfunduar të gjitha procedurat sipas ligjeve në fuqi dhe sot jemi në aksion dhe do të vazhdojmë për largimin e konstruksioneve të të gjitha lokaleve që i shfrytëzojnë hapësirat publike, qoftë konstruksionet, apo karriget, tavolinat, që janë në hapësira publike dhe që e kanë dëmtuar gjelbërimin në hapësirat publike, do t’i largojmë dhe do të vazhdojmë procedurat sipas ligjeve në fuqi. Ky aksion nuk është vetëm në lagjen "Ortakoll", do të vazhdojë në gjithë qytetin, në të gjitha lagjet e qytetit edhe në ‘Shatërvan’ ku janë të uzurpuara hapësirat publike do ti largojmë ato”, ka deklaruar Ukimeraj.
Pronarët e bizneseve të gastronomisë në këtë lokalitet nuk kanë dashur të deklarohen para kamerave për aksionin e Drejtorisë së Inspektorateve.
Por drejtori Ukimeraj ka pohuar se aksioni është prolonguar, shkaku i përpjekjes për të vënë rend, me rregulloren e re, e cila megjithatë, nuk e ka kaluar filtrin e ligjshmërisë në nivelin qendror.
“Ne do ta monitorojmë gjendjen, pasi që edhe në të kaluarën është bërë largimi i konstruksioneve, dhe më vonë i kanë rivendos ato. Arsyeja pse nuk kemi vepruar deri më tash, jemi munduar që me rregulloren e re t'ua mundësojmë gastronomëve vendosjen e çadrave, karrigeve dhe tavolinave sipas rregullores së hartuar, por fatkeqësisht nuk ka kaluar, në Asamble ka kaluar, por në MAPL është refuzuar”, ka thënë ai.
Lirimi i hapësirave publike në këtë lagje dhe në qendër të qytetit është kërkuar shpesh nga opozitarët në Kuvendin e Komunës.